Uashington, 25 tetor 2021 – Zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-së për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë “nuk janë as të mira e as të këqija”.
“Janë të komplikuara”, ka thënë Escobar në një intervistë për Al Jazeera.
Escobar ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta ketë përkrahjen e SHBA-së derisa e ndjek rrugën evropiane.
I dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë, pas paralajmërimeve të autoriteteve të Republikës Serbe për “kthim të sovranitetit” të saj.
Escobar ka thënë se në Bosnjë nuk do të ketë luftë dhe se palët duhet të fokusohen në zhvillim ekonomik. Ai ka thënë se në Bosnjë e Hercegovinë po zhvillohen bisedime me shumë pale për të parë si të shkohet më tutje.
Diplomati amerikan ka thënë gjithashtu se sanksionet në Bosnjë e Hercegovinë mund të shënjestrojnë vetëm individë.
Escobar ka folur edhe për zhviullimet në Mal të Zi. Ai ka thënë se Qeveria aktuale malazeze e ka mbështetjen e SHBA-së.
(r.m.)