Escobar kërkon në Tiranë zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet

Tiranë, 11 prill 2023 – Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, arriti në Tiranë  pak ditë para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Të martën z. Escobar zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin Edi Rama, dhe me Presidentin Bajram Begaj, ndërsa të mërkurën ai do të takojë kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se vizita e z. Escobar nxjerr në pah nevojën që në zgjedhjet e 14 majit të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit.

Ambasada ka bërë të ditur se z. Escobar do të diskutojë me autoritetet shqiptare edhe për bashkëpunimin SHBA-Shqipëri, si edhe për prioritetet rajonale e globale.

Postimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, mbërriti sot në Tiranë për takime me Presidentin Begaj, kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka dhe drejtues të tjerë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë. Ai do të diskutojë gjithashtu bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për prioritetet rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës.

(r.m.)