Escobar: Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën

Podgoricë, 14 mars 2022 – “Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën dhe kjo është arsyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euro-atlantikë duhet t’i shtojnë përpjekjet kolektive për të kundërshtuar veprimet armiqësore të presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Vijesti”, ka thënë se Rusia prej shumë kohësh ka qenë fuqi destabilizuese dhe burim i dezinformatave në Ballkanin Perëndimor. Ai ka kujtuar se Rusia e ka mbështetur grusht shtetin e dështuar në Mal të Zi në vitin 2016 dhe përpjekjet e vazhdueshme pë nxitjen e tensioneve në Bosnë e Hercegovinë.

“Putini nuk e pranon rendin që bazohet në parimet që dominojnë në botë qysh prej Luftës së Dytë Botërore se shtetet kanë të drejtë të kenë mundësinë që të udhëheqin politikën e tyre të jashtme dhe të kundështojnë aleancat. Lufta e tij kundër Ukrainës është luftë kundër këtyre premisave. Kjo ideologji e njëjtë e gabuar është ajo që e shtyn Kremlinin të pengojë dhe të parandalojë integrimet euro-atlantike të Ballkanit”, ka thënë Escobar.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta mbajnë Putinin përgjegjës për pushtimin e Ukrainës.

“Derisa shpaloset kjo katastrofë humanitare, ju duhet ta pyesni veten se për çfarë është gati Putin gjetkë në botë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Escobar.

Ai ka shprehur kënaqësinë që qeveritë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor e mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe e kanë votuar rezolutën speciale të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër invazionit rus në Ukrainë.

Qeveria e Malit të Zi u është bashkuar sanksioneve të vendeve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke përfshirë edhe ndalim-fluturimimin e aeroplanëve të kompanive ruse në hapësirë ajrore të Malit të Zi. Për këtë arsye, Qeveria e Rusisë e ka përfshirë Malin e Zi në listën e shteteve dhe territoreve “armiqësore” ndaj Rusisë dhe ndaj kompanive dhe qytetarëve rusë. Në këtë listë janë përfshirë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova, e cila i ka miratuar të njëjtat sanksione, nuk është përfshirë në listën e shteteve dhe rajoneve “armiqësore”, për shkak se ajo nuk njihet nga Rusia si shtet i pavarur.  

(r.m.)