Zagreb, 8 korrik 2023 – I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani evropian për Kosovën është i mirë dhe se “nuk i përshtatet asnjërës palë” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do “të humbas mundësinë” nëse ai nuk pranon ta zbatojë atë.
Ai ka bërë të ditur se masat ndëshkuese për Kosovën për shkak të mospërfilljes së kërkesave të aleatëve perëndimorë, nuk përfshijnë largimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.
Escobar e ka thënë këtë të premten, në Zagreb, para se të nisej për në Forumin e Dubrovnikut.
Escobar ka thënë se ka “indikacione pozitive” se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së për dalje nga kriza, por nuk mund ta thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës.
“Ne shpresojmë që (Kurti) në një moment të plotësojë kërkesën evropiane dhe amerikane”, ka thënë Escobar.
I pyetur se çfarë pasojash mund të ketë kjo për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Escobar ka thënë se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”.
“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin kosovar, jo me një parti apo një figurë politike”, ka thënë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka theksuar se mospranimi i planit evropian është një mundësi e humbur.
“Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo po i ndodh Kosovës tani, sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj”, është shprehur Escobar.
(r.m.)