Escobar në Prishtinë: Nga takimi i Ohrit presim rezultate pozitive

Prishtinë, 17 mars 2023 – I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklraoi sot (e premte) në Prishtinë se pret rezultate pozitive nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet  nesër (e shtunë) në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Escobar tha se Uashingtoni mbështet çdo rezultat që shpie Kosovën, Serbinëdhe gjithë rajonin drejt integrimit në Evropë.

“Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidentin serb dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plota të komuniteti euroatlantik”, tha Escobar në konferencën për media pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Escobar tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin propozimin evropian për një marrëveshje që do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.  Ai theksoi se SHBA-ja, si mbështetëse kryesore e Kosovës, do që kjo të funksionojë për Kosovën.

“Ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe jo vetëm për Kosovën, por tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes por edhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, u shpreh Escobar.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova shkon në Ohër me objektiv arritjen e një marrëveshjeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë dhe prosperitet. Kosova shkon në Ohër me këtë mendësi dhe me shpresë për rezultat pozitiv”, tha ajo.

Osmani tha se nënshkrimi i marrëveshjes ia hap Kosovës rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Jam e bindur se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete, integrimin Kosovës në institucionet euroatlantike”, theksoi ajo.

Osmani tha se marrëveshja me Serbinë mundëson edhe përfshirjen e komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.

Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë marrëveshje mund ta dëmtoj procesin e dialogut.

Presidentja Osmani theksoi se çdomzarrëveshje që do të arrihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të garantojë integritetin territorial e sovranitetin e Kosovës dhe në pajtim me rendin kushtetues të Kosovës.

Ajo theksoi gjithashtu se refuzimi i marrëveshje nga ana e Serbisë do ta dëmtojë rëndë procesion e dialogut.

Të enjten në mbrëmjë, Escobar u takua me përfaqësuesit e tri partive opozitare parlamentare në Kosovë: PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Gabriel Escobar arriti në Prishtinë pas qëndrimit dyditor në Beograd, ku zhvilloi takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq, dhe liderët e partive opozitare pro-evropiane në Serbi.

Edhe në Beograd ai tha se nga takimi i Ohrit pret rezultate pozitive.

(r.m.)