Escobar: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në interes të stabilitetit të rajonit dhe Evropës

Uashington, 25 shkurt 2023 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE, mbetet kyç për stabilitetin e rajonit dhe Evropës.

Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve “MinaNews”, Escobar, duke arsyetuar se nënshkrimi eventual i planit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndikonte në stabilitetin e rajonit, ka thënë se “duke pasur parasysh se pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit në Ukrainë dhe ndikime të tjera malinje synojnë të mbjellin ndarje”.

Ai konkludoi se normalizimi do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe Kosovës në Evropë dhe do të kontribuojë në një stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.

BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

(Telegrafi)