Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, palët nuk do të mund të zgjedhin se çka të zbatojnë nga ky propozim e çka jo.

Në cilësinë e vëzhguesit, Escobar merr pjesë në një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se fokusi në këtë takim është te finalizimi i aneksit për zbatimin e Marrëveshjes, e jo te nënshkrimi.

“Jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Escobar duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë aspekt, tha ai, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Në rast se palët nuk pajtohen, ato, fillimisht, “nuk ecin përpara në integrimin e tyre euro-atlantik”, tha Escobar.

Ai shtoi se “të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën”.

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se është shumë e pagjasë që ai të shndërrohet ndonjëherë në një Republikë Sërpska, duke iu referuar kështu entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili vazhdimisht ka sfiduar funksionalizimin e këtij shteti.

 

“Kjo është, vërtet, historike”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, teksa flasim, liderët e Kosovës dhe Serbisë janë duke zhvilluar një takim në kuadër të dialogut, këtu në Ohër. Ditëve të fundit ju kemi dëgjuar duke folur për shpresat që keni për këtë takim. Por, cilat janë pritjet tuaja realiste për ditën e sotme?

Gabriel Escobar: Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim [të marrëdhënieve]. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike.

Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi.

Radio Evropa e Lirë: A jeni takuar sot me të dy liderët?

Gabriel Escobar: Jo sot, por i kam takuar këtë javë. Jam takuar së fundi me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe shpresoj të takohem me presidentin [e Serbisë, Aleksandar ] Vuçiq më vonë gjatë ditës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, ka pasur shumë presion që marrëveshja të arrihet në muajin mars. Pse është aq i rëndësishëm ky afat kohor?

Gabriel Escobar: Janë disa arsye. E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit.

Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike.

Radio Evropa e Lirë: Para këtij takimi, kemi parë skepticizëm nga të dyja anët – veçanërisht nga pala serbe. A është zbutur qëndrimi i tyre këto ditë?

Gabriel Escobar: Një gjë që duhet ta them për Serbinë është që presidenti Vuçiq e ka nisur një bisedë të vërtetë kombëtare lidhur me atë se si do të dukej një marrëdhënie mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen. Dhe, duhet të them që të dyja palët janë duke e marrë seriozisht këtë përgjegjësi.

Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot.

Radio Evropa e Lirë: A prisni të ketë nënshkrim të dokumentit sot, veçanërisht nga Serbia?

Gabriel Escobar: Shikoni, ne nuk jemi të fokusuar në nënshkrim, por po fokusohemi në finalizim. Kjo do të thotë të kemi një pajtim që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale dhe një pajtim real në marrëdhënien e tyre. Kështu që, kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit.

“Kjo do t’i jepte fund një prej mosmarrëveshjeve të fundit të mbetura në rajon”

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për vetë propozimin. Është përshkruar si shumë i dobishëm për të dyja vendet, veçanërisht për Kosovën. Por, nuk e përfshin njohjen reciproke. A mendoni se ky propozim mund dhe do të çojë në njohje reciproke?

Gabriel Escobar: Sigurisht që e hapë një derë për këtë dhe shikoni, qëndrimi im – siç e kam deklaruar vazhdimisht, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi – është se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën. Ky rajon është një rajon me premtime të jashtëzakonshme.

E, megjithatë, jashtë rajonit, njerëzit besojnë se Ballkani Perëndimor është një zonë konflikti dhe tensioni etnik. Në realitet, kjo do t’i jepte fund një prej mosmarrëveshjeve të fundit të mbetura në rajon dhe do të lejonte që i gjithë rajoni të zinte vendin e tij në Evropë, si një pjesë e rritjes më të shpejtë të Evropës.

“Nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëra-tjetrën”

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, ju do të thoshit se njohja reciproke është qëllimi përfundimtar?

Gabriel Escobar: Është për ne.

Radio Evropa e Lirë: Duhet të ndodhë patjetër?

Gabriel Escobar: Mirë, mendoj se duhet të ndodhë. Mendoj se duhet të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit. Kështu që, unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëra-tjetrën të gjitha vendet e rajonit dhe pa punuar mirë së bashku me njëra-tjetrën.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë ndodh nëse Serbia refuzon të arrijë deri aty?

Gabriel Escobar: Epo, shikoni, ajo që po i kërkojmë Serbisë është ta normalizojë marrëdhënien e vet me Kosovën. Ata janë të përgatitur për ta bërë këtë.

“Pa marrëdhënie të mirë mes fqinjësh, s’ka integrim”

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të mëparshme, ju keni thënë se nuk mund ta imagjinoni pse dikush nuk do të pajtohej me këtë marrëveshje. Nëse është kështu, çfarë do të ndodhë nëse palët dështojnë në arritjen e një marrëveshjeje sot ose këto ditë? A do të ketë pasoja?

Gabriel Escobar: Shikoni, pasojat… fillimisht është se ne nuk ecim përpara në integrimin tuaj atlantik. Pra, për Kosovën, një nga pasojat është se Bashkimi Evropian pret që ajo të tregojë vullnetin e mirë për të qenë në gjendje të ketë një marrëdhënie paqësore me fqinjin e saj më të madh, përpara se të vendosë nëse ajo është e përgatitur për ta marrë kandidaturën në Bashkimin Evropian. Pra, kjo është një pasojë mjaft e madhe. Por, përtej kësaj, ka pasoja në mospasjen marrëdhënie paqësore me fqinjët tuaj.

Pra, kjo nuk është një pasojë që ne do ta imponojmë, ky është vetëm një fakt i natyrshëm që Kosovës i duhet një marrëdhënie pozitive, miqësore dhe paqësore me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: E, për Serbinë?

Gabriel Escobar: E njëjta gjë për Serbinë. Dua të them se Serbia ka obligime ligjërisht të detyrueshme ndaj Bashkimit Evropian për Kosovën, për krijimin e kushteve paqësore në rajon sipas kërkesave të Kapitullit 35, kështu që kjo do t’i ndihmonte asaj të lëvizë në atë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Këshilltari në Departamentin amerikan të Shtetit, z. Chollet, ka përmendur përfitime të mëdha për të dyja vendet nëse arrihet marrëveshja. A mund të na tregoni se cilat janë këto përfitime?

Gabriel Escobar: Do të filloj me më të rëndësishmen. Tregu më i madh për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian. Dhe, kështu ajo që bën është se u jep investitorëve besimin se të dyja vendet po i afrohen atij tregu, po i harmonizojnë tregjet e tyre me kërkesat rregullatore dhe legjislative të BE-së dhe se çfarëdo investimi këtu, në Ballkanin Perëndimor, në fund të fundit është një investim në një treg evropian.

Pra, kjo është më e madhja dhe kjo është pasojë e natyrshme e kësaj. Por, ka edhe përfitime të tjera, ka përfitime politike. Ajo hap derën që të dyja vendet të lëvizin më shpejt në strukturat evropiane, veçanërisht për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur premtime për investime, nga SHBA-ja apo…?

Gabriel Escobar: Ka pasur premtime për t’i ndihmuar ato të ecin përpara në tërheqjen e zhvillimit të sektorit privat dhe ne patjetër po përpiqemi ta bëjmë këtë dhe patjetër që do ta intensifikonim këtë përpjekje.

“Shndërrimi ndonjëherë i Asociacionit në Republika Sërpska, i pagjasë”

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për çështjen më problematike për lidershipin e Kosovës, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti ka argumentuar se nëse diçka nuk fillon si Republika Sërpska, kjo nuk do të thotë se nuk do të shndërrohet në një të tillë. Si mund të garantojë SHBA-ja që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të shndërrohet në një institucion autonom?

Gabriel Escobar: Së pari, Asociacioni do të përcaktohet nga kompetencat e tij, do të përcaktohet me statut. Do të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës, brenda strukturës ligjore të Kosovës.

Për më tepër, më e rëndësishmja është se me normalizimin mes dy vendeve, ato po harmonizohen edhe me standardet evropiane. I dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, u ka dhënë atyre 16 modele të aranzhimeve të ngjashme brenda Bashkimit Evropian që nuk kanë ndikuar në funksionalitetin ose kushtetutshmërinë e atyre vendeve.

Pra, ka një rrugë përpara për të krijuar një model për asociacionin që nuk krijon një Republikë Sërpska. Në fakt, është shumë e pagjasë që ajo të shndërrohet ndonjëherë në një Republika Sërpska.

Radio Evropa e Lirë: Sërish kemi parë se pjesa veriore e Kosovës është shndërruar në një vend tensionesh të larta. Si mendoni, Asociacioni do ta zgjidhte këtë çështje dhe do të kontribuonte në një bashkëjetesë paqësore në mes të të dyja komuniteteve?

Gabriel Escobar: Një nga gjërat më të rëndësishme që do të bënte është se do të krijonte lidhje në mes të një popullate, e cila ndihet e izoluar, e margjinalizuar, si dhe Qeverisë qendrore. Dhe, ne po flasim në të vërtetë për shërbime komunale. Nuk po flasim për funksione ekzekutive. Ne po flasim rreth ofrimit të shërbimeve për njerëzit në gjuhën e tyre. Kështu që, Asociacioni do t’i merrte përsipër shërbimet që u ofrohen atyre nga Serbia dhe do t’i fuste ato nën kuadrin ligjor të Kosovës. Kështu duhet të jetë dhe kështu do të jetë.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë ka shumë struktura paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë. A do të ketë presion mbi Serbinë që të ndalojë me mbështetjen e tyre?

Gabriel Escobar: Absolutisht. Absolutisht. Është e shkruar në marrëveshje. Ne duhet ta kuptojmë se çfarë janë disa nga strukturat paralele. Në disa raste, shkollat dhe spitalet konsiderohen struktura paralele. Ato institucione do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës, pra nën ombrellën e Asociacionit, kështu që ato nuk do të jenë të udhëhequra nga Serbia, por nga Kosova, përmes Asociacionit.

“Qytetarët në veri – favorizim të dyfishtë, jo dyfish të pafavorizuar”

Radio Evropa e Lirë: A do të jenë të mbështetura financiarisht nga Serbia?

Gabriel Escobar: Është një mundësi për këtë. Po, Serbia mund t’i financojë aktivitetet kulturore dhe edukative. Le ta kemi parasysh se njerëzit në veri nuk janë vetëm qytetarë të Kosovës. Janë edhe qytetarë të Serbisë. Kanë dyshtetësi. Kështu që, ata duhet të kenë favorizim të dyfishtë jo [të jenë] dyfish të pafavorizuar.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia kanë arritur deri më tani gati 40 marrëveshje. Pse mendoni se kjo marrëveshje mund të jetë ndryshe në kuptim të implementimit, sepse kemi parë se shumica e marrëveshjeve paraprake nuk janë zbatuar tërësisht?

Gabriel Escobar: Mendoj se ai realitet është fakti pse ne jemi këtu sot. Implementimi i zbehtë i shumicës së marrëveshjeve ka bërë që Bashkimi Evropian të konkludojë se na duhet një kornizë më e fuqishme dhe ne jemi po ashtu pjesë e kësaj.

SHBA-ja, do të vendosë kredibilitetin e saj politik në këtë pikë që të sigurohemi se ato marrëveshje zbatohen dhe në fund të fundit, mendoj se rajoni është gati për marrëveshjen e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të zgjidhet se çka do të implementohet e çka jo”

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju mendoni se BE-ja dhe SHBA-ja, po ashtu, kanë menduar për një qasje të qartë që të sigurohen se liderët [e Kosovës dhe Serbisë], të vazhdojnë…

Gabriel Escobar: Po, kemi menduar…

Radio Evropa e Lirë: … me këtë marrëveshje dhe a mund të zgjedhin se çfarë të zbatojnë apo jo?

Gabriel Escobar: Jo nuk munden. Do të ketë afate të qarta kohore, si dhe pritje të qarta. Nuk dua të flas për mekanizmin e implementimit, sepse kjo i takon Bashkimit Evropian, por integrimi i tyre do të kushtëzohet me implementim.

Radio Evropa e Lirë: Ne, në Evropë, jemi duke u përballur me një luftë, luftën e Ukrainës, e shkaktuar nga Rusia. A mendoni se kjo marrëveshje mund të ndihmojë në largimin e Rusisë nga Ballkani dhe ndikimit të saj?

Gabriel Escobar: Unë do të thosha po, por dua të jem i qartë, shumë nga problemet e Ballkanit nuk janë shkaktuar nga Rusia.

Rusia mundohet që t’i bëjë më të vështira, por këto janë çështje ekzistuese që i kemi lënë pa i zgjidhur për 30 vjet. Ne duhet ta shohim këtë në atë kontekst, se ne duhet t’i zgjidhim raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që rajoni të shërohet.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur argumente nga udhëheqësit e Kosovës që nuk ka qenë një presion i balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë të paktën nga Bashkimi Evropian sa i takon implementimit, marrëveshjeve dhe të tjerave. Në të njëjtën kohë, REL-i ka publikuar një hulumtim se si diplomatët rusë të larguar nga vendet e BE-së, disa prej të cilëve me gjasë të përfshirë në spiunazh, janë akredituar në Serbi. Cili është komenti juaj për këtë dhe si ka vepruar BE-ja në raport me këtë?

Gabriel Escobar: Më duhet të them se është e pavërtetë se ka pasur presion të pabalancuar. Të dyja palët janë nën presionin e njëjtë dhe do të përballen me pasojat e njëjta, nëse nuk ecin tutje me këtë plan evropian.

Është shumë e rëndë të shihet se si dikush thotë se nuk ka pasur presion mbi Serbinë. Dhe, matrica kryesore për t’u angazhuar në këtë është se ata kanë rënë dakord për normalizimin nën kushtet evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Po kthehem tek afati kohor, marsi. A besoni se edhe nëse nuk arrihet marrëveshja sot, pra nuk kemi një marrëveshje përfundimtare. Si mendoni se do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme dhe në gjithë situatën në veri [të Kosovës] aktualisht? Zgjedhjet do të mbahen në prill…

Gabriel Escobar: Shiko, ne do të donim t’i shihnim qytetarët serbë të marrin pjesë në zgjedhje. Unë mendoj se i kanë disa shqetësime se si do të dukej përfaqësimi i tyre. Por, jam me shpresë që pas ditës së sotme, ne do të kemi një diskutim të ri me ta sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur, gjithashtu, diskutime me opozitën në Kosovë. Tani ata kanë shprehur një qëndrim që nuk pajtohen plotësisht me propozimin.

Gabriel Escobar: Unë mendoj se ata e kanë bërë shumë të qartë se ata, po ashtu, e kuptojnë rëndësinë e ditës së sotme. Ata e kuptojnë se edhe nëse kemi një marrëveshje për normalizim, procesi i pajtimit duhet të vazhdojë, pra do të vazhdojë shumë gjatë pas ditës së sotme.

Por, një marrëveshje sot, do ta bëjë shumë më lehtësisht të mundshëm një rezultat pozitiv. Kështu që, ata pajtohen me këtë të paktën.

(Doruntina Baliu, REL)