Bruksel, 28 shkurt 2023 – “Ka ende shumë punë për të bërë, nesër do të dalim me një qëndrim publik”.
Kështu ka thënë emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një prononcim për Kanal 10, të hënën, pas përfundimit të takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Diplomati amerikan ishte në Bruksel të hënën. Ai ka takuar ndaras Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para se ata të takohen me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri, Joseph Borrell, dhe të të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Zoti Escobar ka thënë se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ai ka shtuar se do të nevojiten bisedime shtesë të palëve lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes. Takimi i radhës i Kurtit e Vuçiqit pritet të zhvillohet gjatë muajit mars.
(r.m.)