Basha pranon se kanë folur edhe për statusin “non-grata” të Sali Berishës
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Gabriel Escobar tha pas takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha se kërkon përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare kundër korrupsionit teksa theksoi se pret me kënaqësi të takojë zotin Basha në Uashington së shpejti.
Zyrtari i lartë amerikan shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë në Tiranë si dhe për takimin me opozitën.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë. Isha gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet.
Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington së shpejti”, tha Escobar.
Në një prononcim për media pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan, Gabriel Escobar, kryedemokrati Lulzim Basha pranoi se temë diskutimi në selinë blu ka qenë edhe vendimi i SHBA për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, Basha tha se ky vendim ka qenë pjesë e diskutimi, ndërsa shtoi se mbi vendimet dhe qëndrimet e DASH do të flasë drejtpërdrejtë Escobar.
Pyetje: Patët një diskutim për shpalljen e zotit Berisha “non grata” në SHBA dhe në rast se zoti Escobar ka prova dhe do t’i paraqesi ato për institucionet e drejtësisë?
Lulzim Basha: Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Pyetje: Keni planifikuar ndonjë udhëtim në Washington duke qenë se e morët ftesën?
Lulzim Basha: Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe padiksutim po planifikoj një vizitë në Washington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat politike të Partisë Demokratike, por atë që është sot agjenda e çdo familje shqiptare, dalja nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të Shqipërisë me reformat politike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë që garancitë janë spirancat e mirëqenies ekonomike dhe punësimit. Dy objektivave kryesore të shqiptarëve, dy objektivave kryesore të Partisë Demokratike.
Ju faleminderit! (Balkanweb)