Uashington, 11 mars 2024 – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të qëndrojjë gjatë kësaj jave në Prishtinë për të biseduar me udhëheqësit e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe çështjen e dinarit serb.
Përmes një komunikate, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se përveç Kosovës, zoti Escobar do të vizitojë edhe Malin e Zi, Brukselin dhe Austrinë në kuadër të siç u tha rikonfirmimit të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zoti Escobar në Bruksel do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të NATO-s.
“Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb, për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se në kuadër të kësaj vizitë do të diskutohet edhe për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“I dërguari i posaçëm do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, thuhet në njoftim.
Vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar në Kosovë po ndodh në një kohë mospajtimesh mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Kjo çështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve më vonë gjatë kësaj jave ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, i cili pritet të qëndrojë në Beograd.
Zoti Lajçak, i cili qëndroi javën e kaluar në Prishtinë paralajmëroi një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb.
Qeveria e Kosovës deri më tash ka refuzuar të marr pjesë në takime pasi sipas zyrtarëve të saj, “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.
Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
(Zëri i Amerikës)