Uashington, 18 korrik 2023 – Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojë sot (e martë) para Kongresit për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë.
Sipas një dokumenti të publikuar nga mediumi “Avaz”, Escobar pritet të raportojë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhëneve midis dy vendeve dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas këtij mediumi, në raportin e Escobarit lidhur me Asociacionin thuhet: “AKS do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”.
Në raportin e Escobarit thuhet se Kosova dhe Serbia “kanë rënë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet shtetërore”.
(r.m.)