Prishtinë, 6 qershor 2023 – I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bëri të ditur se ai dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, përfunduan vizitën e tyre në Kosovë pa ndonjë përparim në përpjekjet për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës më së largu nesër (e mërkurë). Ai paralajmëroi se dështimi i përpjekjeve për qetësimin e situatës do të ketë ppasoja palët. Në rastin e Kosovës Escobar e bëri fajtor kryeministrin Albin Kurti.
“Për Kosovën, do të dërgoj një sinjal të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne dhe mendoj se kjo është për keqardhje. Meqë ra fjala, jo Kosova por kryeministri”, tha Escobar, në takim me gazetarët, në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Escobar bëri të qartë se kryeministri Albin Kurti nuk po i kordinon veprimet me SHBA-të dhe, kështu, po i sfidon edhe raportet me SHBA-të.
“Ne po e shohim që po merren vendime pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne, gjë që ne nuk mund të pranojmë”, tha Escobar.
Megjthatë ai theksoi se SHBA-të do të jenë gjithmonë me popullin e Kosovës, por nuk mbështesin vendimet e veprimet e kryeministrit Kurti.
“Ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës, por kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinktin e bashkëpunimit dhe koordinimit”, theksoi ai.
Escobar shprehu keqardhje që në Kosovë ka njerëz që mendojnë se SHBA po ia mban anën Serbisë.
“Do të jem shumë i sinqertë: SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se ne, disi, po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”, tha Escobar.
“Dua t’ua rikujtoj njerëzve se Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008, por ne vazhduam përpara. Ata (zyrtarët serbë), me vite të tëra ishin kundër fushatës sonë për njohje (të Kosovës), por ne vazhduam përpara. Ishin kundër zgjedhjeve, por ne i konsideruam ato si legjitime”, shtoi ai.
“Ne nuk kemi marrëdhënie të njëjta me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk është kandidate për anëtarësim në NATO dhe po kalon nëpër një periudhë sfiduese për integrimin e saj evropian. Ne prisnim që Kosova të ishte shumë më përpara. Shuma e parave që ne i përdorim për të mbështetur institucionet tuaja, duke përfshirë sigurinë tuaj përmes KFOR-it, nënkupton që kemi një marrëdhënie tjetër. Kjo nuk do thotë që nuk e mbajmë Serbinë përgjegjëse për disa gjëra që po ndodhin dhe ia kemi bërë shumë të qartë se sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme”, tha Escobar.
Ai theksoi eedhe një herë se mënyra e vetme për të shtendosur situatën në veri dhe për të lëvizur përpara është pranimi i propozimeve të BE-së që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë në objektet komunale derisa të zgjasn tensionet, që të mbahen zgjedhjet e reja lokale dhe që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia.
Ai shpjeguar se zbatimi i Marrëveshje së Brukselit dhe Ohrit përfshin edhe fillimin e proocesin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Qëndrimi ynë është që marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë. Për Kosovën e vetmja zgjidhje është Asociacioni. Kjo do të ndodhë, por çështja është se me kë dhe sa kohë do të duhet të presim. Ne e dimë se si do të duhej të dukej Asociacioni. Ne e dimë edhee se si nuk do të duhej të dukej. Ne mund të kemi statutin (e Asociacionit) brenda një dite, nëse duam. Prandaj, nuk e kuptoj këtë vonesë”, shpreh ai.
Escobar theksoi se formimi i Asociacionit është një mënyrë për shkëputur pjesën veriore të Kosovës nga kontrolli i Serbisë dhe për ta kthyer atë nën kontrollin e Kosovës.
Escobar e Lajçak janë takuar mbrëmë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kurse sot janë takuar me presidenten, Vjosa Osmani, me liiderët e partive opozitare shqiptare dhe me drejtues të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe.
Ata udhëtuan nga Prishtina për në Beograd, ku do të takohen me liderët krerët shtetërorë të Serbisë.
(r. m.)