Prishtinë, 14 mars 2023 – I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë.
Escobar do të shkojë së pari në Beograd, më 15 mars, e pastaj do të arrijë në Prishtinë.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë dhe në Serbi realizohet në prag të raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që do të zhvillohet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Prandaj është e kuptueshme se në qendër të takimeve me autoritetet e dy vendeve të jetë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe plani për zbatimin e saj, që pritet të jetë temë kryesore e takimit në Ohër.
SHBA-ja e mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni e mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore” për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e tyre të fundit në Bruksel, deklaruan se pajtohen me propozimin evropian, ndonëse ajo nuk u nënshkrua nga palët para se të arrihet pajtim edhe për planin e zbatimit.
Ndërkohë, Kurti ka shprehur disa herë gatishmërinë për ta nënshkruar marrëveshjen, ndërsa Vuçiqi ka shprehur rezerva ndaj propozimit evropian. Presidenti serb, në paraqitjet e tij publike, ka paralajmëruar se nënshkrimin e marrëveshjes do ta kushtëzojë me formimin e Asociacionit të komunave meshumicë serbe në Kosovë.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ua ka dorëzuar dy palëve 15 modele të trajtimit të të drejtave të pakicave në Evropë, të cilat mund të hyjnë në punë në rregullimin e çështjes së komunitetit serb në Kosovë.
(r.m.)