EULEX shpreh shqetësimin për ndalimin e zv.drejtorit të Policisë së Kosovës në Serbi

Prishtinë, 18 prill 2024 – Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviqit, i cili është ndaluar të mërkurën në Serbi, është dërguar në paraburgim. Atij i është caktuar masa e arrestit me burg prej 48 orësh për, siç thuhet, “prishje të rendit kushtetues të Serbisë”.

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është zyrtari i radhës që ka reaguar ndaj këtij ndalimi.

Ai ka thënë se EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Jankoviqit.

“EULEX-i në Kosovë është i shqetësuar që Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi. U bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë rast t’u përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit”, ka shkruar Giovanni Pietro Barbano.

Edhe Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shprehu shqetësimin për ndalimin e Jankoviqit në Serbi.

“Jankoviq është i njohur mirë nga ambasada amerikane dhe të tjerë. Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha ambasadori Hovenier.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë, më 18 prill.

Të mërkurën në vendkalimet kufitare të Serbisë u ndaluan mbi 1500 shtetas të Kosovës dhe u mbajtën në zonat neutrale pa asnjë shpjegim. Midis të ndaluarve ishin edhe 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Jankoviq. Pesë prej tyre u liruan të mërkurën, ndërsa katër të tjerë u liruan të enjten. Zëvendësdrejtori Dejan Jankoviq u dërgua në paraburgim.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se Jankoviq është ndaluar për 48 orë, siç thuhet në njoftim, “për të vërtetuar faktet dhe për t’u bërë kontrollet e nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”.

Ndalimi dhe arrestimi i shtetasve të Kosovës në Serbi ishte paralajmëruar nga vetë President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Para pak ditësh ai tha se organet e sigurisë së Serbisë do të kundërpërgjigjen ndaj arrestimit të qytetarëve srbë nga organet e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Vuçiq e bëri këtë paralajmërim pas arrestimit të serbit Sreçko Sofronijeviq, i cili ishte në kërkim të organeve të drejtsi pjesëmarrës në përplasjet e serbëve me policinë e Kosovës gjatë aksionit policor për parandalimin e kontrabandës me mallra në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se veprimi i Serbisë është akt i ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe shkelje e të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë.

Presidentja Vjosa Osmani u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtare që të rrisin përpjekjet kundër veprimeve të tilla.

 (r.m.)