Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët në pjesën veriore të Kosovës janë të paligjshme dhe ato duhet të hiqen menjëherë. Por, EULEX ka thënë se nuk ka as mandat dhe as kapacitete për t’i hequr fizikisht këto barrikada.
“Të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes si dhe gëzimin e të drejtave të tjera themelore të njeriut. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë [Josep] Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë. Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Klan Kosova.
EULEX e ka cilësuar si shumë shqetësuese situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe se atje ka prani shqetësuese të individëve dhe të grupeve të armatosura dhe të maskuara. EULEX-i ka thënë se, si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, bën thirrje për shtendosjen e menjëhershme të situatës dhe për përmbajtjen e palëve nga veprimet që mund të provokojnë eskalimin e tëtejmë të situatës.
“Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës është në rrezik për shkak të situatës aktuale. EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes një numri dukshëm të shtuar të patrullave, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
(r.m.)