Euro 2024: Murinjo, BBC dhe The Guardian flasin me superlativa për Shqipërinë

Trajneri i Fenerbahces, Jose Mourinho e lavdëroi lojën e Shqipërisë në Euro 2024, duke thënë se skuadra jonë kombëtare theu çdo parashikim këtë Europian, edhe pse ishte në atë që e përshkroi si “grupin e vdekjes”, me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Performanca e Shqipërisë në dy ndeshjet e para, me Italinë dhe Kroacinë, nuk është parë që nga Kosta Rika 2014.

“Shqipëria është një nga skuadrat që theu çdo parashikim. Në grupin e vdekjes, pritshmëri zero, stadiume plot, lojë të mirë, trajner i rastësishëm brazilian, gola në 20 sekonda, gola në minutën e fundit, dhe ende gjallë.

Nuk e kemi parë këtë që nga Kosta Rika 2014. Kulmi i futbollit”, ishte mesazhi i tranjerit legjendar, i parë në histori që arriti të çojë tre skuadra të ndryshme në gjysmë–finale të UEFA Champions League. Shqipëria, nga Hirushja’ e Euro 2024, siç e cilësonte Calciomercato në Itali, ka tërhequr vëmendjen e komentatorëve të ndryshëm sportivë të cilët mendojnë se tashmë kuqezinjtë po lënë shenjën e tyre në këtë grup “ferri”.

Për një lojë tejet të bukur nga ana e kombëtares sonë flet edhe gjigant britanik BBC, i cili e përshkruan golin e barazimit në ndeshjen me Kroacinë si një bllokues dramatik që i mohoi fitoren kroatëve dhe i dëmtoi rëndë shpresat e finalistëve të Kupës së Botës 2018 për të mbërritur në fazën eliminatore të Euro 2024.

Gjasula tha fjalën e fundit, vazhdon shkrimi, çka nënkupton se Kroacisë tani do t’i duhet të mundë kampionët në fuqi, Italinë në ndeshjen e fundit të Grupit B për të pasur një shans avancimi. Sa për përballjen e kombëtares shqiptare me Spanjën, BBC e përshkruan vërtet si një sprovë të vështirë, ama thekson se se paraqitja e vendit tonë në këtë kampionat do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.

Një tjetër media prestigjozë, The Guardian flet deri për “një ringjallje lindore “ në Euro 2024 dhe për një testament të ecjes përpara pavarësisht probleme me të cilat janë ndeshur, siç thuhet në artikull, këto 30 vitet e fundit. Ekipi duket i frymëzuar, shkruan The Guardian nga trajneri i tij, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Sylvinho, i cili promovoi një sërë lojtarësh të rinj dhe drejtoi një seri tetë ndeshjesh të pamposhtura për të përfunduar në krye të grupit kualifikues.

(Top Channel)