Eurodeputeti Mandl: Liberalizimi i vizave nuk duhet të lidhet me tensionet në veri

Bruksel, 23 nëntor 2022 – Propozimi i Presidencës Çeke të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, është hequr nga rendi i ditës  së mbledhjes së sotme të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Arsyet për këtë veprim u thanë që janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës, dhe se diskutimi i radhës për këtë do të mbahet më 30 nëntor.

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se liberalizimi i vizave nuk bën të lidhet me tensionet në veri të Kosovës. Ai ka vlerësuar se tensionet në këtë pjesë të Kosovës janë krijuar dhe organizuar nga grupet kriminale që kontrollohen nga Beogradi.

“Unë vetëm mund t’u rekomandoj qeverive të shteteve anëtare që të mos e lidhin liberalizimin e vizave me tensionet në veri të Kosovës. Këto tensione janë krijuar dhe organizuar nga grupet e krimit të organizuar të kontrolluara nga Beogradi”, ka thënë Mandl.

Ai ka thënë se Serbia po ndikon në përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Largimi i Vuçiqit nga negociatat është një akt tjetër përshkallëzimi nga ana e tij. Ai nuk ka të drejtë morale ta bëjë këtë. Ai ka obligim moral të kontribuojë në deeskalimin e situatës dhe në krijimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje mes kësaj dhe liberalizimit të vizave”, ka thënë eurodeputeti Lukas Mandl.

Eurodeputeti austriak ,i cili shumë herë ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka thënë se BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta.

“Udhëtimi pa viza për popullin e Republikës së Kosovës është i vonuar. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta. Pakicës së vogël të qeverive të shteteve anëtare (të BE-së) që po e bllokojnë gjithë procesin, u rekomandoj të tërhiqen nga kjo bllokadë dhe të lejojnë që populli i Kosovës të udhëtojë siç bëjnë njerëzit e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. I rekomandoj shumë Këshillit që për këtë të vendosë pozitivisht, pa vonesa të mëtejme”, ka thën Mandl për Telegrafin.

Situata në pjesën veriore të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale, të lëshuara në Serbi.

Serbët në këtë pjesë të Kosovës që e kanë mbështetjen  Beogradit zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe paralajmërojnë rezistencë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

(r.m.)