Bruksel, 19 prill 2025 – Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi të shtunën se po ndjek me kujdes situatën në Serbi, duke përfshirë bllokadën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), dhe u bëri thirrje të gjithëve të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve. Ajo shprehu shqetësimin për ngritjen e një padie penale kundër rektorit të Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq.
“Bashkimi Evropian po ndjek bllokadën e RTS-së. Mediat publike kanë përgjegjësinë të veprojnë në interesin më të mirë të publikut dhe të sigurojnë hapësirë për të gjitha pozicionet legjitime; ata kanë të drejtë, ashtu si të gjithë gazetarët, të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë presion”, shkroi Kos në rrjetin social X.
Ajo tha se shpreson që situata aktuale mund të zgjidhet përmes dialogut konstruktiv dhe frymës demokratike.
Komsionarja Kos theksoi gjithashtu se, për të dalë nga ngërçi politik dhe ndarjet në shoqëri, Serbia duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të përmirësojë reformat në sundimin e ligjit, përfshirë forcimin e pluralizmit mediatik dhe zgjedhjen e Këshillit të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Këto reforma janë kyç për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane. BE-ja ofron mbështetje, dhe unë planifikoj të vizitoj Serbinë më vonë këtë muaj për të diskutuar për këtë”, përfundoi Kos.