EUROPOL godet grupin më të madh shqipfolës të trafikimit të kokainës

Hagë, 15 shkurt 2022 – Agjencia evropiane për bashkëpunim të zbatimit të ligjit (EUROPOL) tha se në një operacion të përbashkët kundër trafikantëve të drogës, janë arrestuar 45 persona. EUROPOL tha se ky operacion ishte “goditje nga kriminelëve shqipfolës që kanë vërshuar Evropën me kokainë”.

Ky operacion i madh, që është zhvilluar kryesisht në Spanjë dhe Belgjikë, vlerësohet të jetë në kuadër të operacioneve të gjera kundër importit në sasi të mëdha të drogës nga Amerika Latine.

“Një operacion ndërkombëtar, me përfshirjen e autoriteteve të sundimit të rendit dhe ligjit në shtatë shtete, ka rezultuar me shpartallimin e njërit prej rrjeteve të trafikimit shqipfolës, më aktiv në Evropë. Sot, Eurojust dhe Europol mbështetën aksionet në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u bastisën mbi 80 lokacione dhe 45 të dyshuar u arrestuan”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie të Bashkimit Evropian që e ka selinë në Hagë të Holandës.

Dyshohet se të arrestuarit kishin importuar kokainë nga Amerika Latine në disa vende në Evropë, duke organizuar transportin e drogës përmes avionëve, anijeve, makinave e kamionëve dhe e kanë udhëhequr tregun e shitjes.

Sipas EUROPOL-it,Spanja dhe shtetet tjera të BE-së janë përdorur si vende për të fshehur aktivitetin e tyre.

EUROPOL tha se “ky rrjet kriminal i nivelit të lartë ka themeluar një sërë ndërmarrjes në shtete të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë edhe në Kroaci dhe Spanjë. Pjesëtarët e këtij grupi shpesh kanë udhëtuar në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të aranzhuar bizneset e tyre ilegale, duke përdorur komunikim të koduar për të koordinuar aktivitetet e tyre”.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë 600 oficerë nga Belgjika, Spanja, Kroacia, Gjermania, Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka angazhuar zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).

Operacioni ka nisur më 2018 dhe është një prej më të mëdhenjve që e kanë mbështetur EUROPOL dhe EUROJUST.

(REL)