Los Anxhelos, 24 janar 2023 – Të martën në mëngjes u shpallën kandidatët për çmimin prestigjioz Oskar, përpara ceremonisë së parashikuar të mbahet më 12 mars, në Los Anxhelos.
Filmi fantastiko-shkencor “Everything Everywhere All at Once”, me regjisorë Daniel Scheinert dhe Daniel Kwan, kryeson me numrin e madh të kandidimeve, plot 11 të tilla.
“The Banshees of Inisherin” me regjisor Martin McDonagh dhe “All Quiet on the Western Front” i Edward Berger-it, renditen në vendin e dytë, me nga nëntë kandidime secili.
Fituesit e çmimit më të rendësishëm në këtë industri do të zbulohen gjatë ceremonisë së 12 marsit që do të prezantohet nga komediani i njohur Jimmy Kimmel.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oskars si dhe shfaqje të tjera televizive të çmimeve po kaq prestigjioze, kanë hasur në vështirësi për të tërhequr teleshikues, kryesisht më të rinjtë që shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës në TikTok dhe YouTube.
Ceremonia e çmimeve Oskar e vitit të kaluar, kur Will Smith goditi prezantuesin Chris Rock, përpara se të fitonte cmimin si aktori më i mirë, tërhoqi rreth 15.4 milionë teleshikues, që ishte 56% më shumë nga audienca e ulët rekord prej 10.5 milionë teleshikuesish që u shënua gjatë transmetimit televiziv të vitit 2021, të dëmtuar nga pandemia. Ceremonia e këtij viti me siguri do të shihet si një rikthim “në vendin e shuplakës”.
Oskari i këtij viti vjen mes shqetësimesh të mëdha mbi biznesin e filmit. Viti i kaluar shënoi një ringjallje të sallave të kinemave, pas dy vitesh pandemie, gjë që u vu re tek suksesi i filmit “Top Gun: Maverick”. Megjithatë shitjet e biletave rikuperuan vetëm rreth 70% të biznesit që ekzistonte para pandemisë. ‘Regal Cinemas’, zinxhiri i dytë më i madh i kinemave në vend, njoftoi mbylljen e 39 kinemave këtë muaj.
(Zëri i Amerikës)