Fabian Bega nga Durrësi kapet në Tiranë me mbi 400 gramë kokainë

Tiranë, 15 shkurt 2022 – Policia e Tiranës njoftoi se e ka arrestuar një 31-vjeçar të dyshuar për shpërndarje kokaine.

Burime nga policia thanë se të arrestuarit, Fabian Bega nga Durrësi, i është sekuestruar një sasi prej 414 gramësh kokainë.

Arrestimi i tij është bërë pas informacioneve të mbledhura se një shtetas posedonte dhe po  shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Tiranës.

“Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike, në sasi 500 gramë deri në 2 kg, në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë. 31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

(r.m.)