Uashington, 4 qershor 2021 – Kompania Facebook tha se do të pezullojë llogarinë e ish-Presidentit Donald Trump për dy vjet pas gjetjeve se ai nxiti dhunë përpara sulmit të dhunshëm të 6 janarit.
“Në fund të kësaj periudhe, ne do të kërkojmë nga ekspertët të vlerësojnë nëse rreziku ndaj sigurisë publike është ulur. Ne do të vlerësojmë faktorët e jashtëm, përfshirë rastet e dhunës, kufizimet në tubimet paqësore dhe shenja të tjerë për trazira civile”, tha të premten përmes një postimi Nick Clegg, nënpresident i kompanisë për çështjet globale.
Në një njoftim për shtyp, ish-Presidenti Trump e quajti vendimin “një fyerje”.
“Ata nuk duhet të lejohen të shpëtojnë pa u ndëshkuar nga ky censurim dhe mbyllje e gojës. Në fund të fundit ne do të fitojmë. Vendi ynë nuk mund ta durojë më këtë abuzim!”, thuhet në njoftim për shtyp.
Bllokimi i llogarisë së zotit Trump në Facebook nënkupton që të tjerëmund të lexojnë dhe të komentojnë në postimet e kaluara që janë bërë aty, por zoti Trump dhe administruesit e tjerë të kësaj llogarie nuk janë në gjendje të postojnë materiale të reja. Nga ana tjetër Twitter-i, e ka ndaluar përgjithmonë zotin Trump nga qasja në shërbimet e saj dhe në platformën e kompanisë nuk ka asnjë gjurmë të llogarisë së tij.
Facebook-u tha se do të rriste ndëshkimet për figurat publike gjatë kohës së trazirave civile dhe dhunës. Në një tabelë të koduar me ngjyra në postimin e saj të premten, kompania tha se ata që shkelin politikat e saj gjatë kësaj kohe mund të kufizohen nga postimi për një periudhë nga një muaj (të verdhë) deri në dy vite (të kuq). Shkeljet e ardhshme, tha Facebook-u, do të plotësohen me “ndëshkime më të larta, deri në pezullime të përhershme”.
Facebook-u gjithashtu planifikon t’i japë fund një politike të debatueshme të mbështetur nga Presidenti i saj Mark Zuckerberg që përjashton automatikisht politikanët nga rregullat që ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe abuzimin. Kompania ka thënë se nuk e ka zbatuar kurrë këtë politikë ndaj zotit Trump.
Gjiganti i mediave sociale tha të premten se ka në plan megjithatë ta zbatojë këtë përjashtim, për ato postime “që pëbëjnë lajm” e janë nëinteres të publikut edhe nëse ai shkel rregullat e Facebookut. Por kompania tha se do t’i bëjë publike rastet në të cilat do të zbatojë përjashtimin mbi një postim.
(Zëri i Amerikës)