Familja e Astrit Deharit dhe avokati i saj: Provat e dërguara në Zvicër ishin të manipuluara e të dëmtuara

Prishtinë, 14 prill 2022 – Avokati Tomë Gashi dhe prindërit e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, thanë se ekspertiza plotësuese e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës lidhur me shkakun e vdekjes së Astritit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.

Gashi tha se komunikata e Prokurorisë Speciale rreth kësaj ekspertize është e dëmshme për hetimin e rastit të vdekjes së Deharit. Ai tha se provat që ishin dërguar në institutin zviceran janë të manipuluara.

“Kushdo që e sheh këtë komunikatë të Prokurorisë së Shtetit, është e dëmshme fillimisht për vetë hetimin e rastit të vrasjes së Astrit Deharit. Ne jemi të befasuar se si Prokuroria Speciale e Kosovës vepron njëjtë sikurse Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me ish-prokurorin e atëhershëm. Ne mund t’ju sqarojmë se kushdo që e sheh këtë ekspertizë plotësuese, kjo nuk mund të kuptohet nëse nuk i analizojnë ekspertizat e mëhershme që kanë qenë të shtatorit 2019, që ka qenë Instituti i njëjtë zviceran… Në këtë ekspertizë shtesë vërtetojmë se të gjitha këto prova që i ka dërguar prokurori i çështjes apo kushdo që i ka dërguar në Institutin Zviceran kanë qenë të manipuluara dhe faktikisht nuk janë ruajtur dhe këta nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të tjera dhe janë kërkuar të bëhen gjurmë gjenetike, toksikologjike dhe kapilarëve gjurmë të gishtave. Këtu kemi të bëjmë me katër prova që janë dërguar në Zvicër. Kemi të bëjmë me këtë shishe, e cila është përdorur në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe faktikisht është emëruar si prova numër pesë. Në ekspertizën shtesë thuhet se ka qenë e pamundur që të gjejë gjurmë daktiloskopike për shkak të paketimit sepse është dërguar me letë dhe në ekspertizën shtesë thuhet se gjurmë kapilare nuk kanë mund të gjenden sepse ato thjesht janë fshirë”, tha ai në konferencën për medie para Prokurorisë Speciale në Prishtinë.

Sipas Gashit, ekspertiza shtesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës vërteton se policia dhe organet tjera i kishin manipuluar provat, në vitin 2016, kur ka vdekur Dehari. Ai tha se Prokuroria Speciale mund të gjejë se kush ka manipuluar me këto prova.

“Ne jemi të bindur që nëse Prokuroria Speciale e Kosovës do të kishte marrë në përgjegjësi personat që kanë punuar në zbardhjen e vrasjes së Astrit Deharit, do të gjendeshin edhe personat me emër dhe mbiemër, të cilët kanë qenë të involvuar në çfarëdo lloj pune që e kanë kryer në kuadër të institucioneve dhe jo të dërgohen vetëm këto prova, të cilat faktikisht janë manipuluar dhe janë shndërruar si prova të papërdorshme… Kjo ekspertizë shtesë vërteton diçka që ne gjithmonë e kemi ditur që institucionet përkatëse prej policisë, por edhe organet e tjera të vitit 2016 kanë manipuluar me provat, të cilat direkt do të dërgonin në atë që të gjithë e dimë që Astri Dehati është vrarë dhe do të mund të identifikoheshin edhe personat që e kanë kryer këtë”, tha avokati Gashi.

Edhe babai i Astrit Deharit të ndjerë, Avniu, tha se ekspertiza shtesë tregon se të gjitha provat e dërguara në institutin zviceran janë të papërdorshme dhe të dëmtuara.

“Në çdo përfundim që kanë sjellë ata besojmë plotësisht meqë i kanë bërë në mënyrë shkencore… Edhe tash pas analizës dhe përfundimit që kanë ardhur në raportin e parë se është prania e personit të tretë që ka marrë pjesë në vrasjen e Astritit. Kanë ardhur të kërkojnë fakte e argumente plotësuese që ta zbardhin si duhet. Të gjitha provat e fotografitë që i kanë dërguar, kanë qenë të dëmtuara. Tani në këtë ekspertizë që kanë dërguar, konkludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar, pra të gjitha janë të papërdorshme. Kanë dërguar edhe një tojë, një laps dhe një brisk të rrojës, të cilat këta i kanë parë që janë gjëra personale të Astritit në të cilat nuk ka diçka të tretë dhe natyrisht se ata kanë thënë se nuk ka diçka nga një person i tretë dhe tash Prokuroria Speciale e Prishtinës, në të cilën kemi besuar që do ta kryejë punën me ndërgjegje, është nxitur që të del, e ka shfrytëzuar vetëm këtë konkludim dhe jo konkludimet tjera, se ka edhe 4-5 konkludime, dhe ka shfrytëzuar këtë konkludim që të krijojë mjegull në opinion, se gjoja ekspertët kanë thënë se nuk ka këtu person të tretë që ka marrë pjesë në vdekjen e Astritit, me këtë të vërtetohet përpjekja e tyre që Astritit ka bërë vetëvrasje”, u shpreh Dehari.

Nëna e të ndjerit, Xhevahire Dehari, kërkoi që dikush të marrë përgjegjësinë për mos zbardhjen e rastit të vdekjes së djalit të saj. Ajo tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë se sa prokurori Sylë Hoxha, i cili ishte marrë me rastin.

“Qe tri vjet, e kanë marrë rastin, asnjëherë kurrgjë nuk na kanë thënë. Para katër muajve kemi shkuar vetë, i kemi pyetur, por nuk na kanë dhënë përgjigje, përveç asaj se ‘jemi duke e pritur prej Zvicrës raportin shtesë’ dhe ‘nëse doni jua dorëzojmë lëndën. Por, nuk dorëzohet lënda kur është mbajtur tri vjet. Dikush duhet të japë përgjegjësi për këto që po bëjnë”, tha ajo.

Të enjten, Prokuroria Speciale e Kosovës reagoi ndaj Ministrisë së Drejtësisë, e cila publikoi të mërkurën pjesë të ekspertizës shtesë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës. Ministria e akuzoi prokurorinë për “manipulim” me konkluzionet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Prokuroria Speciale publikoi konkluzionet e plota të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës.

Aktivisti i ndjerë i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e Burgut të Prizrenit, më 5 nëntor 2016. Prokurori I atëhershëm i rastit, Sylë Hoxha, në bazë të ekspertizës së kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, kishte ardhur në përfundimin se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje.

Por, familja dhe avokati, e kishin kontestuar ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe kishin kërkuar ekspertizë plotësuese nga një institut evropian. Ministria e atëhershme e Drejtësisë e kishte miratuar kërkesën e familjes Dehari dhe e kishte lënë  në dorën e familjes zgjedhjen e institutit, kurse kjo e kishte përzgjedhur Institutin e Mjekësisë Ligjore të Zvicrës. 

Astrit Dehari i ndjerë, kur u gjet u vdekur, ishte në paraburgim. Ai ishte I dyshuar për një sulm me raketahedhës dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë të Lëvisjes Vetëvendosje.

(r.m.)