Po shkruaj sot në emrin tim, në emrin e votuesve të mi të cilët më kanë besuar votën e tyre për të ndërtuar një shtet demokratik, ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, ku respektohen besimet fetare dhe ku këto besime nuk mund të kthehen në tirani dhe imoralitet për të tjerët.
E kam fjalën për një gjuhë poshtëruese dhe diskurs të papranueshëm që disa udhëheqës fetarë po përdorin për të helmuar besimtarët e devotshëm të cilët aspirojnë për vlera morale. Mirëpo asnjë vlerë morale, nuk mund të ngrihet mbi amoralitet, asnjë kulturë komunikimi nuk mund të ngrihet mbi një gjuhë të degjeneruar.
Asnjë shoqëri nuk mund të prosperojë nëse fanatikët dhe ekstremistët i le ta udhëzojnë. Idetë ekstremiste dhe fanatike, autoritarizmat dhe absolutizmat nuk kanë vend në një shoqëri demokratike evropiane. Mirëpo për fat të keq, edhe Kosova ashtu sikurse plot vende të tjera demokratike, po i toleron shumë këta armiq të demokracisë e të vlerave njerëzore, të cilët shfrytëzojnë lirinë tonë për të na sulmuar pabesisht, të cilët sulmojnë themelet e kulturës sonë, ne emër të kulturave të tjera, të cilët sulmojnë traditat tona ne emër të anakronizmave.
Situata është serioze dhe nuk mund të izolohet vetëm në një diskurs të pamoralshëm si ky që kemi dëgjuar ditët e fundit. Jam këtu për të ngritur zërin për një rrezik të madh që po I kanoset Kosovës, e që është fondamentalizmi fetar. Ato vende që e kanë toleruar, sot kanë rënë nën kthetrat e tij dhe nuk po dalin dot më prej tyre.
Është e turpshme që klasa politike sot hesht ndaj këtij fenomeni që po rritet nga dita në ditë. Është turp që politikanët heshtin sepse kanë frikë mos po humbin ndonjë votë. Por ju garantoj se heshtja e sotme do të jetë fatale për të gjithë ne, nesër. Injorimi i problemit nuk e zgjidh atë. Qytetarët e varfër të Kosovës janë lënë sot në mëshirë të fatit. Ata detyrohen t’i shtrijnë dorën gjithkujt për një kafshatë bukë për fëmijët e tyre. Dikush po na e shfrytëzon këtë dobësi, për të çuar përpara agjenda antishqiptare.
Qeveria e Kosovës është përgjegjësja numër një për situatën e sotme. Sepse jo vetëm që nuk është në gjendje të rrisë sado pak mirëqenien e tyre, të hapë ndonjë vend pune, e të sigurojë kushtet minimale për jetesë, por nuk është në gjendje as të kontrollojë financimet të dyshimta që hyjnë në Kosovë e të cilat sot duket se kanë vënën nën zap edhe institucionet tradicionale të fesë.
Është moment i fundit që ne si parlament të kërkojmë nga të gjitha institucionet që të mos lejojnë degradimin e mëtejshëm, por të kryejnë punën me përgjegjësi dhe vetëdije shtetërore, sepse Shtetin nuk do na e bëja as Amerika as Evropa, por ne vetë. Liria dhe demokracia për të cilat dikush luftoi dje e dikush sot, janë të brishta, nëse nuk mirëmbahen çdo ditë, rrezikojnë të zhduken.