Fatos Lubonja rrëfen për vitet e kaluara në burgje në Shqipërinë komuniste

Shkrimtari e gazetari Fatos Lubonja, i cili i ka kaluar 17 vjet në burg gjatë regjimit komunist në Shqipëri, në librin e tij më të ri, rrëfen për vuajtjet e tij e të miqve të tij në burgje gjatë komunizmit.

 

Fjori Sinoruka, BIRN

 

Libri i Fatos Lubonjës “Jetë Burgu”, i botuar së fundmi, tregon jetën e përditshme të të burgosurve politikë në kampin e Spaçit, një nga burgjet më famëkeq në Shqipërinë komuniste, që ndodhet në një zonë të thellë malore në veri të vendit.

Burgu kishte edhe një kamp pune dhe të burgosurit detyroheshin të punonin në minierat e bakrit dhe piritit në kushte të vështira.

Lubonja, i cili u dërgua në burg pasi autoritetet i gjetën ditarët e tij, ku përfshiheshin komente kritike për diktatorin komunist Enver Hoxha, i tregoi BIRN për ditën e parë që u dërgua në burg. “Dukej si ferr”, kujtoi ai.

“Aty na dhanë rrobat e burgut dhe na thanë: ‘Tani shkoni dhe bëni dush’, sepse atje ishte një dush. Pasi hoqa rrobat civile që kisha veshur, vesha rrobat e burgut, të cilat ishin shumë të shëmtuara”, tha ai.

Pasi veshi rrobat e të burgosurit, ai pa pasqyrimin e tij në xhamin e një dritareje. “E pashë veten në xham dhe dukesha shumë shëmtuar me ato rroba, por më pas fillova të rregulloja ndonjë gjë që të dukesha më mirë, më këndshëm, siç rregullon një burrë xhaketën e tij”, kujton ai.

“Ai rregullim ishte përshtatje, Përshtatesh me këtë jetë”, tha ai.

Megjithatë, disa të burgosur refuzuan të përshtateshin. Përveç të burgosurve politikë, kishte të burgosur të tjerë që mbaheshin në një ndërtesë të veçantë në burgun e Spaçit, të cilët kishin kryer krime jopolitike. Ata njiheshin si ‘të zakonshëm’, shpjegon Lubonja në librin e tij.

“Nuk kishte ditë që të mos shihnim skena të tmerrshme të rrahjeve të zakonshmëve, të cilët nuk pranonin të punonin në kampin e punës, të shoqëruara me britma dhe ulërima”, shkruan ai.

“Birucat e ndëshkimit ishin plot me njerëz të zakonshëm që nuk pranonin të punonin, por herë pas here dërgonin një nga tanët. Kur ktheheshin, ata na tregonin të pabesueshme për mënyrat që njerëzit e zakonshëm përdornin për të shmangur punën. Kishte nga ata që për t’u bërë të paaftë për të punuar në minierë, prenë dy gishta me dinamit, duke mbetur invalidë përgjithmonë.”

“Njeriu duhet të kuptojë atë që ka jetuar”

Ish-burgu i Spaçit. Foto: BIRN

Ish-burgu i Spaçit. Foto: BIRN

Libri i Lubonjës tregon historitë e 12 shokëve të tij të burgosur; çdo kapitull mban emrin e njërit prej tyre. Libri përshkruan gjithashtu jetën e përditshme në kampin e burgimit, e cila ishte e mjerë dhe e lodhshme.

“Kampi i Spaçit kishte katër biruca ndëshkimi, secila rreth dy metra e gjatë dhe një metër e gjysmë e gjerë. Duhet të rrije gjithë ditën pa pasur asgjë tjetër përveç tri vakteve, të shkoje në banjë dhe të merrje një cigare me një vakt,” shkruan ai.

“Nuk kishte gazeta, libra, radio, energji elektrike dhe ushqim nga familja”, shton ai.

Ndër gjërat e ndryshme që ishin të ndaluara në kamp ishin pasqyrat. Lubonja beson se kjo nuk ishte për shkak të frikës se një i burgosur mund të dëmtonte veten – xhami i thjesht i dritareve mund të përdorej po lehtë për këtë gjë – por sepse autoritetet donin të pengonin të burgosurit të shijonin edhe kënaqësitë më të thjeshta.

“Disa thoshin se kjo ishte për të bërë të pamundur dërgimin e sinjaleve jashtë kampit, të tjerë sepse pjesë pasqyre mund të përdoreshin për të verbuar një ushtar në çdo përpjekje për të ikur nga kampi, por shpjegimi më i besueshëm është se kjo ishte bërë, ashtu si ndalimi i veshjeve civile, për të mohuar sa më shumë kënaqësitë e një jete të lirë”, shkruan ai.

Lubonja tha se kaq shumë vite pasi u lirua në 1991, ai i shkroi historitë për burgun si shenjë se ka pranuar të kaluarën të cilën më parë e ka refuzuar dhe si “pjesë e kuptimit të vuajtjeve që kam kaluar”.

“Në këtë pikë të rrugëtimit, mendoj se i kam shkruar të gjitha këto histori për t’i pranuar si të miat, si pjesë e vetes sime ‘reale’, ato veshje dhe ato vuajtje që i kam refuzuar me kaq këmbëngulje”, shpjegon ai në libër.

Ai tha se tani e sheh të kaluarën si diçka që nuk mund të ndryshohet, ndonëse vazhdimisht kërkon të kuptojë pse kanë ndodhur disa gjëra dhe beson se është e rëndësishme të informohet publiku për to.

Ai tha se dëshiron “t’u tregojë të tjerëve, të nxjerrë mësime për të tjerët, por në të njëjtën kohë si katarsis për veten time, pasi është e nevojshme të kuptosh vetë atë që ke jetuar”.

“Ne jemi ballafaquar keq me të kaluarën”

Emrat e njerëzve të burgosur në Shqipërinë komuniste në Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete, Tiranë. Foto: BIRN.

Emrat e njerëzve të burgosur në Shqipërinë komuniste në Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete, Tiranë. Foto: BIRN.

Lubonja e cilëson veten sot si një “qytetar i angazhuar”, që sipas tij do të thotë se “marr pjesë me aq sa mundem në përpjekjen për të ndryshuar këtë botë shqiptare”. Ai mbetet aktiv në jetën publike në Shqipërinë bashkëkohore, ku është një kritik i fortë i liderëve politikë.

Shqipëria kohët e fundit është përpjekur të ndërmarrë hapa drejt adresimit të së kaluarës së saj komuniste dhe çështjes së dosjeve të përgjimit që mbaheshin për mijëra njerëz nga ish-Sigurimi.

Lubonja argumentoi se legjislacioni që supozohet se synon të trajtojë krimet e kryera gjatë të kaluarës komuniste po “instrumentalizohet” për përfitime politike.

“Është shumë e rëndësishme të ballafaqohesh me të kaluarën, sepse ata që qëndrojnë në të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë, siç thotë një frazë e mençur. Por pyetja është, si duhet të silleni me të kaluarën që ajo të mos përsëritet?” pyeti ai.

“Ajo që kemi bërë deri më tani është të përsërisim të kaluarën, sepse nuk jemi ballafaquar mirë me të kaluarën, jemi ballafaquar keq me të kaluarën.”

I pyetur se çfarë nënkuptonte me të ballafaqohesh mirë me të kaluarën, ai u përgjigj: “Kjo do të thotë, mbi të gjitha, të njohësh përgjegjësinë e të gjithë shoqërisë për të kaluarën.”

(Reporter.al)