Helmand (Afganistan), 29janar 2022 – Graana eci më shumë se dy orë për të dërguar në spital djalin e saj 2-vjeçar në një spital në provincën Helmand në jug të Afganistanit.
“Djali im nuk mund të ecte sepse ishte shumë i dobët”, tha ajo për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Uria e kishte shpërfytyruar atë në atë masë sa filloi të dukej i frikshëm. Isha e pashpresë”, tha Graana, që është nënë e pesë fëmijëve.
Pasi u trajtua për disa javë në Spitalin Boost, që mbështetet nga Mjekët pa Kufij, organizatë me seli në Gjenevë, djali i Graanas është në gjendje stabile. Ai është në mesin e pak fëmijëve që kanë pasur fatin që të trajtohen.
Miliona fëmijë afganë po vuajnë nga kequshqyerja teksa uria po përhapet në mbarë Afganistanin, shtet që është goditur nga kriza e tmerrshme humanitare dhe ekonomike qëkur talibanët morën pushtetin në gushtin e vitit të kaluar.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pothuajse 23 miliona persona – rreth 55 për qind e popullatës – po përballen me nivele të larta të urisë. Fëmijët po e mbajnë peshën më të madhe të krizës, me rreth 14 milionë fëmijë që janë në rrezik nga uria gjatë këtij dimri, tha OKB-ja.
Nooria është një nënë tjetër që ka dërguar djalin e saj më të vogël në Spitalin Boost, që është ndërtesa më e madhe e kujdesit shëndetësor në Helmand. Ai po trajtohet për kequshqyerje të rëndë dhe tuberkuloz.
“Ai është këtu më shumë se një javë, por unë nuk po shoh asnjë përmirësim”, tha ajo për djalin e saj 1 vjeç. “Mjekët më thanë se ai është i kequshqyer”.
Profesionistët afganë të kujdesit shëndetësor thanë se shumë fëmijë që sillen në spitale, janë aq të sëmurë sa nuk mund të shpëtohen.
Sistemi i kujdesit shëndetësor i Afganistanit, që vite të tëra është financuar nga fondet e huaja, është buzë kolapsit. Donatorët perëndimorë ndalën fondet pasi talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht 2021. Disa mijëra objekte shëndetësore në mbarë Afganistanin janë mbyllur gjatë muajve të fundit. Ato që ende janë të hapura, po kanë vështirësi të operojnë për shkak të mungesës së stafit shëndetësor dhe furnizimeve mjekësore.
‘Buzë greminës’
Mohammad Daud Nusrat, shef i departamentit të pediatrisë në Spitalin Boost, tha se ai ka parë një rritje të numrit të fëmijëve të kequshqyer rëndë që po vijnë për t’u trajtuar.
“Krahasuar me vitin e kaluar, kequshqyerja në mesin e fëmijëve nën 5 vjeç është duke u përhapur”, tha ai për REL-in, duke shtuar se spitali muajin e kaluar trajtoi 630 fëmijë, krahasuar me 380 në dhjetor të vitit 2020.
Sam Mort, zëdhënëse e UNICEF-it, agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët, tha për REL-in se organizata “është thellësisht e shqetësuar lidhur me krizën e kequshqyerjes që po përshkallëzohet me shpejtësi në mbarë Afganistanin”.
Mort tha se 1.1 milion fëmijë nën moshën 5-vjeçare janë në rrezik që të vdesin nga kequshqyerja akute. Ndërkaq, 3.2 milionë fëmijë të tjerë, tha ajo, janë në rrezik nga kequshqyerja.
OKB-ja e përkufizon kequshqyerjen akute si një gjendje ku një fëmijë vuan nga ngecja ose rritja jo e duhur dhe humbja e madhe e peshës.
“Kur unë udhëtoj në mbarë vendin dhe flas me neutricistët, mjekët dhe drejtorët e spitaleve, ata po regjistrojnë rritje të rasteve me kequshqyerje akute”, tha Mort, që punon nga Kabuli.
Ajo tha se mjekët në mbarë vendin po shohin lindje të parakohshme dhe të tjera komplikime të lidhura me ushqyerjen jo të duhur.
Afganistani aktualisht është një prej shteteve me nivelet më të larta të moszhvillimit të duhur fizik, sipas UNICEF-it. Rreth 40 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç vuajnë nga moszhvillimi i duhur. Gjatësia e ulët e fëmijët vërehet në pothuajse 10 për qind të të gjithë fëmijët afganë.
“Nivelet e kequshqyerjes po dyfishohen nga java në javë”, tha Mary-Ellen McGroarty, drejtoreshë e Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së në Afganistan. Ajo së fundmi tha për Washington Post se “fëmijët e dobësuar po vijnë në spitale. Unë kurrë se kam pritur që situata do të përkeqësohej kaq shpejt”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres më 26 janar i tha Këshillit të Sigurimit se Afganistani është “buzë greminës”. Ai u bëri thirrje trupave botërorë për të pezulluar “rregulla dhe operacione” që parandaluan dërgimin e ndihmës nga agjencitë ndërkombëtare të dërgojnë ndihmë në Afganistanin e udhëhequr nga talibanët.
Shtetet e Bashkuara dhe donorët e tjerë të huaj ndalën mbështetjen e tyre financiare për Afganistanin kur talibanët morën pushtetin. Uashingtoni po ashtu ka ngrirë rreth 9 miliardë rezerva të Bankës Qendrore afgane që mbahen në SHBA, pas shqetësimeve se militantët mund t’i përdorin paratë për të financuar terrorizmin.
Ndalimi drastik i parave nga jashtë ka shkaktuar një krizë të thellë në Afganistan, shtet që po përjeton mungesë akute të parave dhe hiperinflacionit.
Saghar Nabizada, nënë e dy fëmijëve, tha se nuk ka para për të blerë bukë. Mësuese me profesion, ajo humbi punën pasi talibanët ua ndaluan grave që të punojnë jashtë shtëpive të tyre.
“Unë qava kur nuk munda që të blej bukë për dy fëmijët e mi që po qanin nga uria”, tha kjo 35-vjeçare. “Më dhemb”, shtoi ajo.
(REL)