Në jetën publike e familjare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, festat ishin pjesë e mbamendjes kolektive në përgjithësi, kurse krishtlindjet ishin buka dhe kripa e gjallnimit të tyre fetar e kombëtar.
Kjo festë e Krishtlindjes na gjen sërish bashkë me shpresë që në ribërjen e historisë së kombit dhe fesë, Shkupi ynë iliro-dardan t’i rikthejë atributet e dikurshme që i kishte, atëherë kur Ipeshkvia Shkup-Prizren ishte një faktor mjaft i qenësishëm në ruajtjen e kohezionit tonë kombëtar e shpirtëror.
Në kalendarin e ngjarjeve kulturore e shkencore, festa e Krishtëlindjes paraqet një stacion të rëndësishëm edhe të ecjes sonë si Institut, sepse dimensioni shpirtëror që mbart ai, i atribuohet pikërisht ndriçimit të traditës dhe jetës së komunitetit katolik shqiptar në Shkup, si një llambadar që po mundohet ta ruaj shkëlqimin nga erërat e fuqishme të dezintegrimit dhe asimilimit.
Në jetën publike e familjare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, festat ishin pjesë e mbamendjes kolektive në përgjithësi, kurse krishtlindjet ishin buka dhe kripa e gjallnimit të tyre fetar e kombëtar.
Prandaj, duke iu rikthyer kësaj tradite, ne si Institut po bëjmë përpjekje vetmohuese që në një kënd të kujtesës sonë historike këtu në Shkup, të bëjmë vend edhe për një pjesë të indit tonë kombëtar, i cili nuk guxon të përthahet dhe të asgjësohet. Sepse pa të kaluarën e lavdishme kulturore e fetare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, historia jonë kombëtare do ti ngjante një libri vetëm me kopertina por pa asnjë fletë brenda.
Edhe kjo festë që po e shënojmë sot bashkërisht këtu në ITSHKSH, është një përpjekje modeste që këtij libri t’i rikthehen fletët e grisura të historisë së dhimbshme të komunitetit katolik shqiptar në Shkup , sepse ata e meritojnë t’i zhvillojnë të gjitha shërbimet fetare në gjuhën e ëmbël të Nënës Tereze. Për rrjedhojë, ne nuk kemi hequr dorë nga ideja që në Shkup të kemi një famullitar shqiptar, sepse vetëm kështu do të ketë kuptim ruajtja e këtij komuniteti nga shprishja e mëtetutjeshme.
Nëse nga Shkupi ynë doli një grua me përmasa planetare të madhështisë humane e njerëzore, siç ishte Nëna Tereze, pse pikërisht në Shkup të mos rikthejmë jehonën e këngëve dhe vjershave të Gonxhe Bojaxhiut përmes një bariu i cili do t’i drejtohej në gjuhën shqipe grigjës së tij.
Në furtunat e ndryshme të historisë, ne arritëm t’i përballojmë të gjitha sfidat që sjell shkombëtarizimi dhe ndryshimi i panatyrshëm i ADN-së sonë kulturore-identitare, dhe kjo u bë pikërisht në saje të epopesë bogdaniane, e cila filloi pikërisht këtu nga Shkupi dhe shpërndau rrezet iluministe në mbarë hapësirën arbërore. Këto epope po mundohemi ta ringjallim edhe në ditët e sotme, duke organizuar Ditët e Bogdanit, ku sivjet patëm në fokus tematik Lazër Mjedën dhe Shkupin në kohën e tij, si një demonstrim praktik i këmbënguljes sonë për t’i shpallur luftë harresës. Kjo gjithsesi edhe me një fakt shtesë që ndërlidhet me botimin e librit “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj” që si autor ka ipeshkvin e fundit të kësaj Ipeshkvie, Imzot Gaspër Gjinin. Ky botim i veçant nga ana e Institutit tonë do të qartësojë edhe më shumë optikën shkencore në ndriçimin e të kaluarës së lavdishme të Shkupit, dhe jo vetëm.
Nga këtu, edhe njëherë shfrytëzoj rastin t’iu uroj Krishtlindjen, dhe t’iu faleminderoj që sërish po i bashkoheni idesë sonë që tradita jonë sakrale të përplotësohet me shenjat dalluese të ilirisihtes së lashtë e cila mbetet bazamenti i identitteti tonë kulturor e kombëtar.
Gëzuar!
(Fjalë e mbajtur në solemnitetin e organizuar në ITSHKSH për nder të festës së Krishtlindjes)
Shkup, 23 dhjetor 2023