Mijëra besimtarë myslimanë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” dhe gjithë sheshet e xhamitë e vendit për faljen e Kurban Bajramit.
Programi i Kurban Bajramit në kryeqytet filloi që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut, për të vijuar më pas me këndimin e një pjese nga Kurani Famëlartë, të cilën e përcolli për besimtarët e pranishëm hafizi Enes Hyka.
Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të shumta urimi e solidariteti.
“Sot në vendin tonë dhe mbarë globin ka festë, ka bajram. Kurban Bajrami është festa që simbolizon dashurinë dhe përkushtimin e robit të devotshëm ndaj Zotit të gjithësisë.”, nisi fjalën e tij Spahiu.
Më tej ai përcolli mesazhet e simbolikës së Kurban Bajramit dhe la disa mesazhe të rëndësishme sociale për familjen, rininë dhe rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie të drejtë.
“Zoti në Kuran thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…” ky ajet kuranor reflekton esencën dhe domethënien e kësaj dite. Kjo ditë është dita që na kujton se duhet të jemi të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është dita për të kuptuar se vlera dhe dinjiteti njerëzor janë shumë të çmuara dhe ndaj tyre duhet kushtuar vëmendje e lartë”, tha ai.
“Zbutni zemrat me njëri-tjetrin! Largohuni nga veset. Ruani veten nga ligësitë dhe padrejtësitë! Mos u bëni lakmitarë ndaj njëri-tjetrit! Kjo botë nuk do t’i mbetet askujt! Familja është qeliza bazë e shoqërisë. Zoti krijoi Ademin dhe Havanë, e prej tyre u formua familja dhe u trashëgua gjinia njerëzore. Ky është një ligj i pa ndryshueshëm deri në fund të kësaj bote. Edukoni fëmijët me moral të pastër investoni që ata të pajisen me dije të gjithanshme fetare, sociale e shkencore! Ktheni vëmendjen nga prindërit, të sëmurët, të varfrit, tregoni dhembshuri ndaj tyre! Kam një apel për rininë: Pajisuni me moral të bukur, kthejini sytë nga Zoti, rrini larg tundimeve të kota. Mos ikni nga vendi, projektojeni të ardhmen këtu, në vendin tuaj.”, ishin disa nga mesazhet që kreu i Komunitetit Mysliman ndau me besimtarët.
Pas faljes së namazit, në orën 06:05, të cilin e priu kryetari Spahiu, programi vijoi më tej me Hutben e Bajramit që u mbajt nga Nënkryetarit i KMSH-së, Taulant Bica.
Ai ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të shumta paqeje dhe solidariteti.
“Sot është dita e bashkimit, shkrirjes së zemrave, largimit të mërive, solidaritetit dhe mirëkuptimit njerëzor. Në këtë ditë gëzimi dhe lumturia hyn në çdo shtëpi të pasuri apo të varfëri, jetimi e të pastrehu. Edhe ai që nuk ka mundësi të bëjë kurban sot, le të dhurojë një buzëqeshje” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre. (Gjergji Mina, ATSH)