FESTË E FILMIT SHQIPTAR NË BOSTON

– U çel në mjediset e kishës së Shën Gjergjit “Noli Fim Festival” , i pari festival i filmit shqiptar në Boston –

Nga Fuat Memelli

Kishte ditë që shqiptaro-qmerikanët që jetojnë në Boston dhe qytetet rreth tij, e prisnin nisjen e këtij festivali. Dega e Vatrës në Boston prej ditësh kishte njoftuar për këtë ngjarje të rëndësishme. Dhe ja kjo ditë erdhi. Çelja e festivalit u bë dje datë 31maj në kopshtin e bukur të kishës së Shën Gjergjit. Pjesëmarrësit kishin ardhur jo vetëm nga Bostoni por edhe qytete të tjerë si Usteri, New Yorku e deri nga Washingtoni. Festivali organizohet nga Kisha e Shën Gjergjit, “Sojli Art Productions” dhe “90 Productions”. Drejtori artistik i festivalit, Bujar Alimani, na thotë se për këtë festival janë zgjedhur 27 filma me autorë nga Shqipëria, Kosova e dhe Maqedonia e Veriut. Në festival do paraqiten filma artistikë, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe të animuar. Kjo është një festë e filmit shqiptar. Qëllimi ishte që t’i sjellim emigrantëve shqiptarë të Bostonit e më gjerë, krijime të artistëve tanë, të takojmë njëri-tjetrin , të shmallemi, të bisedojmë e të mendojmë edhe për festivale të tjerë në Boston. Juria përbëhet nga 9 anëtarë, personalitete të filmit e artit shqiptar si: Astrit Çerma i cili është edhe kryetar jurie, Jul Nënshati, Valentin Veizi, Mariza Ikonomi, Arben Dervishi, Bashkim Braho, Dhimitër Demiraj, Andis Gjoni dhe Nensi Bregu Karanxha. Pas çeljes së festivalit, të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Ervin Bushati. Ndër të tjera ai theksoi se në këtë vend ku jemi mbledhur te kisha e Shën Gjergjit, ne ndjejmë shpirtin e Nolit. Ky na duket si një vend i shenjtë.  Me Bostonin dhe me këtë kishë, është e lidhur në mënyrë të veçantë jeta dhe vepra e Nolit. Përshëndeti gjithashtu këshilltari bashkiak për zonën e Bostonit të jugut, Edward Flyn. Një mesazh urimi kishte dërguar edhe prokurori i qarkut Sufolk të Bostonit, Kevin Hayden. Një përshëndetje ndryshe nga të tjerët bëri me këngë grupi popullor i degës së Shoqatës Labëria, me kryetar Julian Balilin. Përshëndeti edhe aktorja Mariana Kondi, që kishte ardhur posaçërisht nga Shqipëria, përfaqësuesja e Shoqatës së Kancerit, Roberta Panariti Nashi si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Pastaj në sallën e kishës së Shën Gjergjit, nisi shfaqja e filmave. Siparin e çeli dokumentari “Ëndrra e Fan Nolit” me autor gazetarin dhe historianin e njohur, Ilir Ikonomi. Në 19 minuta film, jepej jeta dhe vepra e Nolit në 14 vitet e para pas mbritjes së tij në Boston, rrugëtim që nisi 118 vjet më parë. Më pas vazhduan edhe dy filma të tjerë me realizues Erand Sojlin dhe Bujar Alimanin.

Festivali do të zgjasë tre ditë. Mbyllja e tij që do bëhet ditën e dielë, do të jetë një mbrëmje e bukur gala, ku do ndahen edhe çmimet e filmave fitues. Të gjitha donacionet do të shkojnë për “Albanian’s Fighting Cancer” dhe “Bibliotekën e Fan Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj”.