Nga Ruben Avxhiu
Në një vend ku kanë dalë të gjithë të humbur e të gjithë sillen si fitues është vështirë të gjesh zgjidhje racionale.
Natën e paszgjedhjeve në Kosovë shkrova komentin “Festa arrogante, pas zgjedhjeve pa fitues”
Argumentova se festimi i politikanëve në Kosovë ishte pavend, se gëzimit delirant për një fitore joekzistuese duhej t’ia linte vendin ulja e kokës dhe pranimi i faktit cinik se Kosova nuk ia kishte besuar asnjë partie në veçanti monopolin e qeverisjes.
Sot, më shumë se dy muaj më vonë, për fat të keq, zhvillimet vetëm sa kanë konfirmuar vazhdimisht të drejtën e atij argumenti.
Asnjë nga festuesit e asaj dite nuk është në gjendje të prodhojë një shumicë qeverisëse. Fryrja e gëzimi irracional ka mbaruar por jo vendosmëria për t’i rënë – edhe më tej – murit me kokë.
Zgjedhjet, në të cilat shumica e qytetarëve me të drejtë vote të Kosovës nuk votuan, ka prodhuar një parlament i cili mund të funksionojë vetëm me përulësi, modesti, vetëkritikë, sakrificë, atdhetari, njerëzi, përgjegjësi qyetare e morale.
E vetmja rrugë përpara për Kosovën është që udhëheqësi e saj qeveritarë e partiakë të kuptojnë se akush nuk ka respekt për ta përtej grupit të tyre të fanatikëve politikë.
Jo të gjithë janë të korruptuar e të përlqyer. Jo të gjithë janë të pasinqertë e të shkëputur nga realiteti. Kur i bashkon në një grup kjo është e padrejtë për disa prej tyre që nuk meritojnë të krahasohen me disa nga abuzuesit kryesorë të këtyre dy dekadave. Mirëpo, e vërteta është se të gjithë i bashkon fakti se Kosova nuk ua ka dhënë askujt besimin. Sa më parë të rikhehen në realitet aq më mirë për të gjithë.
Nuk ka rëndësi më se sa mirë paskan qeverisur në këto 10 vjet, PDK e kompani. As kontributi në luftë e në paqe. As kontributi në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit, të shitjes, të abuzimit. As përgjegjësia, vetëpërmbajtja etj për vite me radhë tani nuk kanë rëndësi.
Që nga ky moment e tutje, llogaria bëhet me numra në Kuvend. Nëse nuk I ke, tërhiqu për të mirën e Kosovës dhe të idealeve për të cilat flet. Tërhiqu për hir të qytetarëve të Kosovës për të cilët thua se nuk të zë gjumi natën.
Nuk ka pasur një fitore kësaj here. Vetëm një seri humbjesh. Puna këtu tani është si ta bëjmë që të mos humbë Kosova. Partitë që nga PDK, AAK, Vetëvendosja, LDK e të gjitha të tjerat të kenë kujdes që humbjet e tyre të mos i kthejnë në humbje të Kosovës.
I vetmi skenar zgjidhjeje është pranimi i humbjes nga të gjithë. PDK le të marrë kryeparlamentarin për t’i shpëtuar rregullit të padrejtë të Kushtetutës. Vetëvendosja të heqë dorë nga kryeministri që i duhet lënë përsëri partisë më të vogël, LDK-së, në mos një partie akoma edhe më të vogël për hir të përmbysjes së pritshmërisë. Duke qenë se kalicionet dolën të gjitha humbëse ato mund edhe të prishen duke lejuar një rikthim të Haradinajt në koalicionin VV-LDK, qoftë edhe si kryeministër.
Të gjithë partitë le të rifillojnë dialogjet e tyre me popullin për të kërkuar fitoren e munguar në zgjedhjet e ardhshme që mund të lihen pas 3 vjetëve.
Këto zgjidhje tani nuk bazohen në moral e drejtësi, po në nevojën për të mos ia prerë rrugën Kosovës për hir të interesave partiake. Nuk po i ofroj si ndonjë skenar ideal. Drejtësia e merita nuk kanë asnjë lidhje këtu. Ky skenar ka vetëm synim të rinisin reformat e vonuara e të nevojshme dhe zgjidhjeve për qytetarët.
Politikanët sigurisht mund të vijojnë konsultimet e tyre. Ndoshta me ikjen e vapës do të kullojë edhe ndonjë zgjidhje politike. Po shtatori duhet të nxjerrë një qeveri të re. Përsëritja e zgjedhjeve nuk ka asnjë garanci që do të japë një rezultat tjetër. Nuk e di se çfarë u thonë këshilltarët e adhuruesit Thaçit, Veselit, Haradinajt, Kurtit, Mustafës etj. Po Kosova është thjesht tepër e përçarë dhe e pavendosur që ata të formojnë qeveri me kushtet e tyre.
Sa më shumë zhytje në deluzion aq më shumë humbet rasti për fitore të vërtetë në zgjedhjet e ardhshme. Historia nuk mund të ndalojë ngaqë populli nuk u bind për të votuar udhëheqësin tënd. Refuzimi për të parë realitetin paguhet kur, herët a vonë, ai vjen dhe të përplaset në fytyrë. Ashtu si në rastin kur pasi injoruan shumë këshilla të urta e dashamirëse, politikanët shkuan drejt zgjedhjeve të qershorit e realiteti ua përplasi rezultatet në fytyrë. Kur nuk mëson nga historia, jo vetëm që jo ripërsëritet, po në versione shumë më banale e fatale.