Festivali “Sunny Hill” megjithatë do të mbahet në Kosovë

Prishtinë, 20 qershor 2022 – Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë më 4,5,6 dhe 7 gusht të këtij viti.

Kështu është thënë në një deklaratë të përbashkët të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Komunës së Prishtinës dhe Festivalit “Sunny Hill”.

Sipas tyre, institucionet qendrore dhe ato lokale do të ofrojnë mbështetje për edicionin e sivjetmë, i cili është thënë se do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Edicionet e kaluara janë mbajtur në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, pati bërë të ditur që “Sunny Hill” do të zhvendoset në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Palët kanë qenë në diskutim të dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite në fshatin Bërnicë e Poshtme.

Lipa pati thënë se kërkesa e festivalit është politizuar dhe se janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompetencat e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal mbi Komunën e Prishtinës, ku sipas tij, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal dhe është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi ministrinë nga ana e asamblistëve të opozitës komunale.

Ministria, në anën tjetër, ka thënë se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë, të cilat është thënë se kanë munguar.

Mirëpo sipas deklaratës së 20 qershorit, palët kanë shprehur gatishmëri “që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.

Aty po ashtu është bërë e ditur që një edicion i veçantë me këngëtarë tjerë do të mbahet në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht.

Festivali është themeluar nga Fondacioni “Sunny Hill”, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa dhe edicioni i parë është mbajtur më 2018.

Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

(REL)