Prishtinë, 15 qershor 2022 – Festivali “Sunny Hill” i themeluar nga Fondacioni me këtë emër i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, nuk do të mbahet në Prishtinë. I planifikuar për datat 4 deri 7 gusht, festivali do të zhvendoset në Tiranë.
Same dates, same beautiful experience, different location!
— Sunny Hill Festival (@sunnyhill2024) June 14, 2022
This August (due to delays from authorities in providing the needed licenses for the location), we are obliged to move to Tirana. (1/3) pic.twitter.com/TGCwz6RRGL
Organizatorët thanë se arsyet e zhvendosjes së festivalit janë “vonesat në dhënien e lejes për shfrytëzim të pronës” që komuna e Prishtinës i kishte ndarë festivalit, ndërsa tërhoqën vërejtjen se çështja “u shndërrua në betejë politike”.
Komuna e Prishtinës kishte vendosur më 10 maj t’i jap festivalit në shfrytëzim një pronë prej 17 hektarësh për 99 vjet. Më 16 maj vendimi i është dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal “për shqyrtim të ligjshmërisë”.
Kjo ministri tha në një reagim se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.
“Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se zhvendosja e festivalit do t’i shkaktojë humbje të mëdha Kosovës dhe fajtore për këtë është qeveria e vendit që sipas tij “duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”.
Vendimi për zhvendosjen e festivalit u mirëprit në Tiranë.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, publikoi lajmin duke theksuar se “Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”.
Ndërkaq të mërkurën raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cilësoi gabim strategjik të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale ajo tha se “Qeveria e Kosovës është dashur të siguronte që ‘Sunny Hill’ të mbahej në Prishtinë .
“Jam shumë e mërzitur që ‘Sunny Hill’ s’do të mbahet në Prishtinë këtë verë. Është gabim strategjik pasi sillte njerëz në Kosovë dhe promovonte rininë e saj”, shkroi ajo.
I'm very sad to see that #SunnyHill Festival won't take place in #Pristina this summer.
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺🇮🇱 (@ViolavonCramon) June 15, 2022
It is a strategic mistake as it brings people to #Kosovo & promotes its youth. #KosovoGovernment should have ensured that @sunnyhill2022 takes place in Pristina & hope it will return there.
Emra të mëdhenj të muzikës, përfshirë Miley Cyrus, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson dhe shumë artisë të tjerë kishin marrë pjesë në këtë festival.
Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares Dua Lipa, tha se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit i festivalit është llogaritur në “23 milionë euro si dobi direkte për imazhin e shteti”, ndërsa ekonomisë së Prishtinës i ka siguruar rreth 10 milionë euro.
Edicioni i tretë që ishte planifikuar për vitin 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë.
Në një bisedë më Zërin e Amerikës, këngëtarja Dua Lipa paralajmëroi vitin e kaluar rikthimin e fuqishëm të festivalit.
“Po. Jam shumë e emocionuar për rikthimin e festivalit Sunny Hill verën që po vjen. Do të jetë qejf i madh për tri e ndoshta edhe katër ditë. Kemi një listë të mrekullueshme të artistëve, që po i presim me padurim. Kemi punuar shumë edhe gjatë pandemisë që të përcaktojmë hapat e radhës. Po e rrisim festivalin. Lokacioni do të ndryshojë, në mënyrë që të kemi më shumë vizitorë nga mbarë bota…”, tha ajo.
(Zëri i Amerikës)