Tiranë, 25 dhjetor 2021 – Mijëra besimtarë të krishterë u mblodhën në mesnatë dhe në mëngjes pranë kishave e katedraleve për të nisur festimet e Krishtlindjeve, që i vazhduan edhe në shtëpitë e tyre e në mjedise të tjera.
Në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet ceremonitë i drejtoi arkipeshkvi George Frendo, i cili ngriti lart sakrificat e Jesu Krishtit në ndihmë të të varfërve dhe të pafuqishmëve.
Nga ana tjetër ai foli për “pisllëqet morale të shoqërisë”, për “diktatorët, korrupsionin, kriminelët dhe vrasjet” që e trishtojnë shoqërinë.
“Kemi nevojë për këtë dritë për të pastruar pisllëkun moral të shoqërisë, për të pastruar shoqërinë nga urrejtja, hakmarrja, padrejtësia dhe korrupsioni. Ne dëgjojmë shumë lajme që na trishtojnë; për terroristë që vrasin pa asnjë mëshirë, për vrasje dhe vetvrasje, për korrupsion dhe padrejtësi. Jezusi është shpëtimtari i vetëm i njerëzimit; mos të vendosim në të njëjtin fron si shpëtimtar asnjë politikan” – tha imzot Frendo.
Drejtuesit fetarë respektuan oraret dhe masat shëndtësore të pandemisë Covid. Meshat e katolikëve u mbyllën brenda orës 11, ndërsa ortodoksët i zhvilluan ato në mëngjes, duke respektuar distancat dhe duke shmangur grumbullimet. Mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit” u drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili bëri thirrje pqr qëndresë paqësore ndaj padrejtësive.
“Dy nga rrezet e shumta të diellit të drejtësisë që ndriçojnë këto ditë, bëhen veçanërisht aktuale për kohën tonë: fuqia e qëndresës paqësore e personave kryesorë të lindjes dhe thelbi i kuptimit të saj, që Biri i Perëndisë erdhi për të qëndruar me ne” – tha Hirësia Janullatos.
Festimet e krishtlindjeve u zhvilluan në mbrëmje dhe në mëngjes edhe në kishat e katedralet katolike e ortodokse nga mijëra besimtarë në të gjithë Shqipërinë. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore dhe kryeipeshkv i Shkodrës e Pultit, Angelo Massafra, i uroi besimtarët.
“Shpesh herë në jetën tonë të përditshme familjaro – kishtare arroganca dhe dhuna krijon probleme. Duhet të jemi më të btë, më të mirë. Të jetojmë në këtë botë urtësisht drejtësisht, duke bërë drejtësi. Sa ankohemi për drejtësi e drejtësi nuk ka. Nuk ka as në gjykata as në shumë nivele. Por varet prej nesh të lirohemi nga interesat private e personale e të kemi një zemër më solidare” – tha imzot Massafra.
Prej afro dy vjetësh pandemia Covid 19 ka pakësuar ndjeshëm ceremonitë masive të gjithë bashkësive fetare, muslimanë, kristianë e bektashi, që po kujdesen të shmangin tubimet që të mos sëmuren besimtarët.
Shqipëria është e njohur për tolerancën dhe harmoninë e saj ndërfetare, ku prej shekujsh bashkësi të ndryshme fetare bashkëjetojnë mes besimtarëve që respektojnë dhe urojnë njëri tjetrin, duke mos shënuar asnjë konflikt me bazë fetare.
(Zëri i Amerikës)