Prishtinë, 20 nëntor 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) paralajmëroi se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s që ndeshja e ndërprerë në Bukuresht, më 15 nëntor, të regjistrohet me rezultat zyrtar (3:0) për Rumaninë.
FFK-ja bëri të ditur se nga UEFA e ka kërkuar dosjen e plotë të rastit, të cilën do t’ia dërgojë CAS-it.
“… ne nuk jemi dakord me vendimin për t’ia hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3:0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë. FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
FFK-ja konsideron se refuzimi i futbollistëve të Kosovës për ta vazhduar ndeshjen në ambientin e atmosferën e krijuar në staiumin e Bukureshtit është një betejë kundër racizmit, ksenofobisë dhe diskiminimit në futboll.
“Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll. FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet”, thuhet në komunikatë.
Ndërjkaq, vendimin e Komisionit Diciplinor të UEFA-s për gjobitjen e Federatës së Futbollit të Rumanisë, FFK-ja e cilëson si konfirmim të arsyeshmërisë së veprimeve të saj kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës.
“Ky vendim i arsyeton në plotëni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën, në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar”, thekson FFK-ja.
(r.m.)