FFK e njoftoi UEFA-n për mesazhet politike të tifozëve serbë në EURO 2024

Prishtinë, 17 qershor 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar zyrtarisht te Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për shfaqjen e flamujve, slogoneve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, gjatë ndeshjes Serbi-Angli, në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit, EURO 2024.

“Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si EURO 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj”, thuhet në deklaratë.

“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, thuhet më tutje në deklaratë.

FFK-ja ka kërkuar që UEFA të marrë masa të ashpra disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë. Njëkohësisht, ka kërkuar që organizatori të pengojë  shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-s.

Mediat në Kosovë raportuan se gjatë ndeshjes Serbi-Angli janë dëgjuar thirrje kundër Kosovës, si “Kosova është Serbi”, ndërsa para ndeshjes është djegur flamuri i Shqipërisë.

(r.m.)