FFK thotë se do të dorëzojë padi për incidentin në Bukuresht

Prishtinë, 13 shtator 2023 – Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se po përgatit komentet e nevojshme dhe do të dorëzojë padi në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për shkak të, siç tha, shkeljeve të bëra në ndeshjen kundër Rumanisë.

Në Bukuresht, ndeshja midis Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Kosovës u ndërpre për 50 minuta, pasi më 12 shtator tifozët shpalosën një pano ku shkruhej “Kosovo je Srbija” (Kosova është Serbi).

“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”, tha FFK-ja.

Federata shpjegoi se pas thirrjeve nacionalistëve të tifozëve ka reaguar menjëherë “duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganeve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja”.

FFK tha se ka kërkuar nga UEFA që të evidentojë të gjitha shkeljet e bëra gjatë kësaj ndeshjeje, duke shtuar se i është drejtuar edhe komisionit disiplinor të UEFA-s “me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.

Më 13 shtator, në ueb-faqen e UEFA-s u tha se ndeshja Rumani-Kosovë u ndërpre për plot 50 minuta për shkak të “sjelljeve diskriminuese”.

Ndeshja më pas rifilloi me delegatin e UEFA-s që ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.

Ndeshja e së martës, që përfundoi 2:0 në favor të Rumanisë, ishte e vlefshme për Euro 2024.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.

Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.

(REL)