Fier: Sekuestrohen 1.8 milionë euro pasuri të një të dyshuari për trafik droge

Tiranë, 13 qershor 2024 – Prokuroria e Fierit njoftoi të mërkurën më 12 qershor sekuestrimit e 1.8 milionë eurove pasuri të një shtetasi të dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike, si dhe në veprime të tjera të kryera me qëllim mbulimin e origjinës reale të pronave në zotërim të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë të tij.

Sipas prokurorisë, është kryer hetim i plotë i veprimeve ekonomike dhe juridike të shtetasit A.M. dhe të personave të lidhur me të, me qëllim evidentimin e pasurive që këto persona zotërojnë, si dhe nëse kanë pasur burimeve të ligjshme për krijimin e tyre. “Pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre”, shprehet prokuroria në njoftim dhe shton se bazuar në këtë ekspertim ka regjistruar procedim pasuror.

Në vijim është kërkuar sekuestrimi i një liste të gjatë pasurish, që është pranuar nga gjykata e Fierit. Konkretisht, janë sekuestruar dy ngastra toke me sipërfaqe 2281 m2 dhe 4550 m2; tre njësi, njëra me sipërfaqe 200 m2, një tjetër me sipërfaqe 100 m2 dhe një njësi me dy kate; tre troje me sipërfaqe 210 m2 secili; një apartament me sipërfaqe 127.4 m2 dhe një vendparkim. Nën sekuestro janë vendosur dhe 12 automjete luksoze, mes tyre të markave Ferrari, Lamborgini, Mercedes Benz, Audi, BMW, si dhe një autobus. Po ashtu, janë sekuestruar një llogari bankare në vlerën rreth 120 mijë euro, ora të markës “Rolex”, bizhuteri dhe sende të çmuara me vlera të konsiderueshme.

Prokuroria sqaron se këto pasuri janë një pjesë e atyre që janë përcaktuar të sekuestrohen, ndërkohë që vijon puna e policisë gjyqësore për të ekzekutuar dhe sekuestrimin e sendeve të tjera.

(Reporter.al)