Kiev, 6 shtator 2022 – Të gjashtë reaktorët e centralit bërthamor të Zaporizhjës janë fikur pas granatimeve në afërsi, teksa agjencia e OKB-së për energji bërthamore pritet të publikojë një raport para Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën e sigurisë në këtë uzinë.
Operatori i Zaporizhjës, Enerhoatom, tha një ditë më herët se reaktori numër 6 i centralit “u fik” për shkak të një zjarri të shkaktuar nga sulmet me artileri në rajon.
Enerhoatom tha se reaktori do të rikthehet në funksion kur të shuhet zjarri.
Të pesë reaktorët e tjerë u hoqën nga funksioni më herët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fajësoi trupat ruse për sulmet me artileri.
Por, të dyja palët vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për rreziqet që i kanosen centralit më të madh bërthamor në Evropë që është okupuar nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Sot, linja e fundit e transmisionit të energjisë, që është e lidhur me sistemin e energjisë së Ukrainës, u dëmtua për shkak të një granatimi tjetër rus”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 5 shtatorit.
“Për shkak të provokimit rus, centrali i Zaporizhjës është një hap larg një fatkeqësie të rrezatimit”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky shtoi se ky granatim i pretenduar rus në Zaporizhja, që ndodhi shumë afër kohës së publikimit të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tregon se Rusisë “nuk i intereson se çfarë vendos komuniteti ndërkombëtar”.
Më 5 shtator, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, akuzoi Rusinë për “sjellje të pamatur” sa i përket centralit të Zaporizhjas, teksa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ketë shqetësime për ndonjë fatkeqësi bërthamore sikurse ai i Çernobilit.
Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore vjen pasi një mision i kësaj agjencie vizitoi javën e kaluar Zaporizhjën.
Kreu i kësaj agjencie tha se raporti do të prezantohet më 6 shtator pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Dy prej inspektorëve të OKB-së do të vazhdojnë të mbesin në Zaporizhja, ndërsa pjesa tjerët janë larguar që atje pasi kanë vlerësuar dëmet në këtë central.
(REL)