Mitrovicë, 16 qershor 2013 – Të shtunën është mbyllur stacioni i policisë paralele të Serbisë në Leposaviq, njoftojnë mediet e Serbisë, kurse policët që kanë punuar në kuadrin e fushëpreprimit të këtij stacioni janë vënë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Sipas medieve në Serbi, të njëjtin fat do ta kenë brenda dy-tri ditësh edhe stacionet e policisë serbe në Zveçan, në Mitrovicën veriore dhe në Zubin Potok.
Mbyllja e stacionive policore serbe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të bëhet në bazë të Marrëveshjes së arritur mes kryeministrave të Serbisë e Kosovës, në Bruksel. Sipas marrëveshjes, pjesëtarët e njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës që dëshirojnë të punojnë në Policinë e Kosovës mund të bëhen pjesë e saj, kurse të tjerët do të pensionohen ose do të sistemohen në Policinë e Serbisë.
Mbyllja e stacionit policor të Serbisë në Leposaviq shënon fillimin e shpërbërjes së strukturave serbe të sigurisë në veri të Kosovës. Ky është kushti kryesor që i është vënë Serbisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
R.M.