Los Anxheles, 11 mars 2024 – “Oppenheimer”, drama historike që bëri bujë dhe arriti fitime prej miliarda dollarësh, u shpall filmi më i mirë në edicionin e 96 të çmimeve “Oskar”, ndërsa regjisori i filmit, Christopher Nolan, u vlerësua si regjisori më i mirë.
Filmi fitoi në 7 nga 13 kategoritë për të cilat ishte emëruar, përfshirë atë për aktorin më të mirë, Cillian Murphy, dhe për aktorin më të mirë joprotagonist, Robert Downey Jr.
Duke i dhënë çmimin filmit “Oppenheimer”, Akademia Oscars bëri diçka që nuk e kishte bërë në më shumë se një dekadë, i dha trofeun më të rëndësishëm një filmi të pëlqyer gjerësisht nga audiencat dhe me buxhet të lartë.
Në një industri ku filmat me superheronj ose me emra si Tom Cruise janë shpesh domosdoshmëri për të siguruar fitime të mëdha, filmi “Oppenheimer”, arriti rekorde shikueshmërie në kinema, për dramën mbi shkencëtarin e Luftës së Dytë Botërore J.Robert Oppenheimer dhe mbi krijimin e bombës atomike.
“Mirë apo keq, po jetojmë në botën e Oppenheimerit”, tha aktori Murphy në fjalimin e tij pasi mori çmimin si aktori më i mirë.
“Dua t’ua kushtoj këtë çmim të gjithëve atyre që punojnë për paqen”, tha ai.
Ceremonia e çmimeve “Oskar” në teatrin Dolby në Los Anxheles u mbajt në sfondin e luftrave në Gazë dhe Ukrainë dhe me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara në horizont.
Çmimet për dokumentarin më të mirë, “20 ditë në Mariupol ” dhe për filmin më të mirë ndërkombëtar, “Zona e interesit”, sollën gjeopolitikën në qendër të vëmendjes së çmimeve “Oskar”.
Aktorja më e mirë u shpall Emma Stone, për rolin e saj si Bella Baxter në filmin “Poor Things”. Ajo siguroi trofeun në atë që cilësohej si gara më e fortë në të njëjtën kategori, mes saj dhe aktores Lily Gladstone që interpretoi në filmin ““Killers of the Flower Moon”.
Është hera e dytë që Emma Stone vlerësohet me “Oskar”. Të njëjtin trofe ajo e kishte fituar në 2017, për filmin “La La Land”.
“Kjo është e jashtëzakonshme”, tha aktorja, ndërsa gjatë fjalimit shpërtheu në lot.
Por protestat dhe politika ndërhynë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Oskar”, që sivjet u mbajt në një vit zgjedhor. Në orët e vona të ceremonisë, prezantuesi Jimmy Kimmel e lexoi një postim kritik në mediat sociale të ish Presidentit Donald Trump.
“Faleminderit që po na ndjek”, tha zoti Kimmel.
Regjisori Christopher Nolan në të shkuarën ka qenë në konkurrencë për çmimin “Oscar” për shumë filma, përfshirë “Inception”, “Dunkirk” dhe “The Dark Knight”. Por, çmimi “Oskar” për regji që e fitoi të dielën është i pari për këtë regjisor 53 vjeçar.
Aktori Robert Downey Jr. nga filmi “Oppenheimer”, që ishte emëruar dy herë më parë, (për filmat “Chaplin” dhe “Tropic Thunder”), po ashtu mori mori trofeun e parë “Oskar”.
“Faleminderit fëmijërisë sime të tmerrshme dhe Akademisë”, tha aktori, i biri i regjisorit Robert Downey Sr.
Filmi “Barbie”, që vitin e kaluar arriti ftime prej më shumë se 1.4 miliardë dollarë nga shitja e biletave, mori vetëm një çmim, kënga më e mirë origjinale, për Billie dhe Finneas Eilish “What Was I Made For?”. Ky është “Oskari” i dytë për ta.
Protestat mbi luftën e Izraelit në Gazë bllokuan trafikun përreth teatrit “Dolby” në Los Anxheles, duke vonuar mbërritjen e yjeve në tapetin e kuq dhe duke kthyer vëmendjen tek konflikti. Disa prej protestueve iu drejtuan të pranishmëve me thirrjet “turp”.
Regjisori Jonathan Glazer, filmi i të cilit “Zona e Interesit”, dramë drithëruese mbi Aushvicin, u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, tërhoqi vëmendjen mbi aspektin çnjerëzor që jetësohet në filmin e tij dhe kohëve të sotme.
“Sot, mblidhemi këtu si njerëz që refuzojmë të pranojmë që të qenit hebre dhe Holokausti të merren peng nga një pushtim që ka përfshirë në konflikt kaq njerëz të pafajshëm, qofshin viktimat e 7 tetorit në Izrael, qofshin viktimat e sulmit në Gazë, të gjithë viktimat, kjo është çnjerëzore, si do t’i bëjmë rezistencë?, tha regjisori Galzer.
Një vit pasi “Navalny” siguroi të njëjtin çmim, dokumentari i regjisorit ukrainas Mstyslav Chernov, “20 ditë në Mariupol”, një pasqyrë pikëlluese mbi ditët e para të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, u shpall si dokumentari më i mirë.
Regjisori dhe gazetari i Associated Press Mstyslav Chernov, qyteti i të cilit u godit ditën kur ai mori vesh se ishte emëruar për çmimin “Oskar”, foli fuqishëm kundër agresionit rus.
“Ky është çmimi i parë ‘Oskar’ në historinë e Ukrainës dhe jam i nderuar. Me gjasë, jam regjisori i parë në këtë skenë që do të doja të mos e kisha bërë kurrë këtë film”, tha ai.
Prezantuesi Kimmel, i cili drejtoi për herë të katërt cermoninë, e çeli atë me një monolog që nënvizonte se Hollivudi ishte “një qytet i bashkuar”, pas grevës së aktorëve dhe skenaristëve në vitin 2023.
Çmimi i parë i mbrëmjes, dihej pak a shumë, shkoi për Da’Vine Joy Randolph, si aktorja më e mirë joprotagoniste për olin e saj në filmin “The Holdovers”.
Filmi “The Boy and the Heron” u vlerësua si filmi më i mirë artistik vizatimor.
Çmimi për skenarin më të mirë origjinal iu dha filmit “Anatomy of a Fall”, që njësoj si filmi “Barbie” u krijua nga një çift: Justine Triet dhe Arthur Harari. “Ky çmim do më ndihmojë të përballoj krizën e moshës së mesme”, tha regjisorja Triet.
(Zëri i Amerikës)