“Drithërues, tërbues dhe në fund shpresëdhënës” – e përshkruan kritikja amerikane, Alissa Wilkinson, filmin “Zgjoi”, me regji të kosovares Blerta Basholli.
“Bukuria dhe forca e këtij filmi qëndrojnë në faktin se regjisorja, aktorja dhe i gjithë ekipi arrijnë të tregojnë të padukshmen dhe të thonë të pathënën”, thotë regjisorja nga Bosnja, Jasmila Zhbaniq.
Filmi “Zgjoi” ka gjasa të mëdha të bëhet pretendenti i parë i Kosovës për Çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
Të nominuarit për çmimin prestigjioz që ndan Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA, shpallen sot.
“Zgjoi” ka hyrë në listën e ngushtë prej 15 filmash, ndërsa pret të mësojë nëse do të jetë në mesin e pesë finalistëve të kategorisë së vet.
Pritshmëritë janë të mëdha, marrë parasysh suksesin e deritashëm të filmit.
Vitin e kaluar, “Zgjoi” ka bërë histori, duke fituar tre çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimi për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimi i publikut – që të tre kanë shkuar në adresë të “Zgjoit”.
“Zgjoi” është “një perlë që nxjerr në pah fuqinë e personazheve të tij, duke dëshmuar se asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision”, ka shkruar “Sundance Film Festival”.
“Zgjoi” bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje nga Kosova, e cila gjatë luftës së viteve 1998/99 u largua nga fshati Krushë e Madhe, bashkë me fëmijët e saj të vegjël.
Pas kthimit, bashkëshorti i saj ishte i zhdukur dhe me gjasë i vdekur, ndërsa ajo – atëbotë 28 vjeçe – pa asnjë mundësi për të mbajtur familjen.
Në përpjekjet për mbijetesë, nëna e një vajze tri vjeçe dhe një djali tre muajsh u bashkua me të vejat e tjera të fshatit dhe filluan të shisnin ajvar dhe turshi të bëra vetë.
Biznesi i tyre “KB Krusha” vazhdon të funksionojë edhe sot dhe punëson mbi 50 gra – pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, regjisorja e filmit, Blerta Basholli, ka shpalosur arsyet që e kanë shtyrë të realizojë filmin:
“Fillimisht, kam qenë e fascinuar me tregimin e Fahrijes kur e kam dëgjuar në televizion, më është dukur një rast shumë interesant, fillimisht si histori suksesi, por pastaj edhe paragjykimi që i është bërë nga shoqëria, pasi ka qenë e ve dhe ka filluar të punojë”.
“Për mua këto dy elemente kanë qenë shumë intriguese dhe për këtë arsye kam shkuar ta takoj Fahrijen”, ka thënë Basholli, duke kujtuar takimet e para me të në vitin 2011.
Aktorja Yllka Gashi, e cila luan Fahrijen, ka thënë se ky rol për të ka qenë “përvoja më e mirë profesionale”.
“Grua e çeliktë, që nuk u dorëzua para asnjë sfide, që dhimbjen e shndërroi në motiv për punë. Inspirim për çdo gjeneratë”, ka shkruar Gashi në llogarinë e saj në Instagram, pas premierës së filmit “Zgjoi” në Prishtinë, në tetor të vitit 2021.
Vetë Fahrija ka thënë se filmi e ka bërë t’i rijetojë momentet e së kaluarës, por edhe të ndihet krenare për atë që ka arritur.
“Dhimbja në fytyrë, dhimbja në punën që bënte, ma pasqyronte një Fahirje të dytë”, ka thënë ajo për aktrimin e Yllka Gashit.
Filmi “Zgjoi”, mes tjerash, ka fituar edhe dy çmime kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë. Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë, ndërsa “Zgjoi” ka marrë çmimin “Fundos” për inovacion shoqëror.
Një film i Kosovës është nominuar për herë të parë për Çmimin Oscar në vitin 2016. “Shok”, me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughue, ka hyrë në garë në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, por nuk ka fituar.
Më 26 janar, regjisorja e “Zgjoit” ka kërkuar mbështetje për filmin e saj, në prag të shpalljes së nominimeve për Oscar.
“’Zgjoi’ tregon historinë e fuqisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës, në një situatë kur dorëzimi është mundësi”, ka shkruar Basholli në Twitter.
(Valona Tela, REL)