Helsinki / Stockholm, 2 nëntor 20022 – Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, tha se llogarit në Hungarinë që ta ratifikojë aplikimin e shtetit të tij për anëtarësim në NATO.
Ai i bëri këto komente më 2 nëntor pasi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
“Është gjë e mirë që Finlanda mund të llogarisë në Hungarinë sa i përket ratifikimit për anëtarësim në NATO. Mirëpres forcimin e mëtejmë feno-urgik, por edhe si aleatë”, tha Niinisto në Twitter duke iu referuar historisë së përbashkët gjuhësore të dy shteteve.
Po ashtu, ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom, shprehu optimizëm se Hungaria do të ratifikojë edhe aplikimin e Suedisë në NATO. Ai kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto, disa ditë më parë.
“Ne po ashtu kemi marrë mesazhe pozitive gjatë bisedës sonë”, tha Billstrom gjatë një konference për media në Helsinki.
Finlanda dhe Suedia kanë kërkuar që t’i bashkohen aleancës ushtarake të NATO-s në maj, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por, kërkesa e tyre hasi në kundërshtime nga Turqia.
Hungaria dhe Turqia janë dy shtetet e vetme që ende nuk kanë ratifikuar aplikimet e Stokholmit dhe Helsinkit.
(REL)