Shkup, 9 maj 2024 – Partia VMRO-DPMNE është fituese e madhe e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ajo fitoi 58 vende në parlamentin prej 120 vendesh, një fitore që nuk e kishin parashikuar as vetë drejtuesit e saj. Edhe kandidatja e kësaj partie për postin e presidentit, Gordana Siljanovska Davkova, shënoi fitore të thellë në balotazhin e 8 majit. Ajo mori 560 mijë vota ose 65 për qind kundrejt 251 mijë votave apo 29 për qind sa fitoi kandidati social-demokrat, Stevo Pendarovski, i cili garoi për një mandat të dytë.
Zoti Pendarovski uroi fituesit, por pa e përmendur me emër zonjën Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, siç u shpreh, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim, i cili vlerësohet se bëri një bojkot në heshtje të balotazhit.
Në bllokun politik shqiptar festuan të dy koalicionet. Fronti Evropian në krye me Bashkimin Demokratik për Integrim mori 19 vende dhe kjo e bën këtë koalicion forcën e dytë më të madhe politike pas VMRO-së, që ndodh për herë të parë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut. Koalicioni “VLEN” ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët, siguroi 13 vende në parlament. Por, drejtuesit e këtij koalicioni e cilësojnë si fitore bindëse dhe historike rezultatin e tyre në zgjedhjet e së mërkurës, mbase jo për shkak të numrave, por për faktin se presin të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. Fronti Evropian fitoi 137 mijë vota në të gjashtë zonat zgjedhore të vendit, ndërsa VLEN-i 107 mijë vota.
Humbësja më e madhe në këto zgjedhje konsiderohet Lidhja Social Demokrate, e cila sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, del të ketë siguruar 18 deputetë, apo 153 mijë vota. Ndonëse më tepër vota në shkallë vendi se BDI-ja me koalicionin, sistemi i D’Hondt-it e nxjerr këtë të fundit si forcën e dytë politike në vend. Drejtuesi Social-demokrat, Dimitar Kovaçevski e pranoi humbjen dhe uroi kundërshtarët politikë për fitoren, ndërkohë që një pjesë e zyrtarëve të lartë të LSDM-së kanë paralajmëruar dorëheqjet nga postet e larta të partisë. Ky është rezultati më i keq që mbahet mend ndonjëherë për LSDM-në në zgjedhje, që nga pavarësia e vendit.
Analistët vlerësojnë se zvarritja e procesit të integrimit të vendit në BE, “lëshimi” që LSDM-ja i bëri BDI-së gjatë gjithë këtyre viteve në qeverisje, retorika e shtuar për korrupsionin e lartë në qeveri, shkaktoi humbjen e thellë të Lidhjes Social Demokrate, e cila vlerësohet e moderuar dhe meritore për uljen e tensioneve ndëretnike në demokracinë e brishtë të këtij vendi.
Kreu i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i ardhshëm, Hristijan Mickovski tha mbrëmë se ka biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Taravarin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin dhe të enjten do të nisë takimet për formimin e qeverisë së re. Zoti Mickovski akuzoi BDI-në për përpjekje për bojkotimin e balotazhit presidencial, por siç u shpreh ai: “qeveria ra dhe populli e shpëtoi shtetin”.
“Kriminaliteti, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rreme, shteti i kapur, tenderat, nepotizmi, gjëra që bënë shtetin të vuajë dhe popullin të dëshpërohet, sonte u mundën”, tha zoti Mickovski, duke kërcënuar se, “100 persona të BDI-së dhe LSDM-së do të përgjigjen për të bëmat e tyre”.
Ai premtoi nga ana tjetër se në 100 ditëshin e parë të qeverisë së tij do të ketë rritje ekonomike dhe investime të huaja.
Ndërkaq, zoti Ali Ahmeti i koalicionit Fronti Evropian nuk pranon të shkojë në opozitë. “Vendit i duhet qëndrueshmëria dhe siguria”, tha ai në një konferencë shtypi me drejtuesit tjerë të këtij koalicioni, Ziadin Selën, Menduh Thaçin, etj.
Sidoqoftë, VMRO-ja nuk pritet tui ofrojë partive shqiptare një numër të përafërt të ministrive sa kishin BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.
Partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka siguruar 6 vende në parlament dhe ka gjasa të mëdha të hyjë në koalicioni e ri qeveritar. Nëse ndodh kjo, atëherë shumica e pritshme parlamentare do të ketë 77 ligjvënës, shumë afër numrit të dy të tretave. Partia nacionaliste “E Majta” fitoi 6 vende në parlament, që po ashtu vlerësohet një sukses për të, duke patur parasysh se në mandatin aktual ka vetëm dy ligjvënës.
Për formimin qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve.
(Zëri i Amerikës)