Fitorja e Trumpit shtyn Iranin dhe Arabinë Saudite të afrohen mes tyre

Riad, 16 nëntor 2024 – Irani dhe Arabia Saudite kanë qenë rivalë të përbetuar për dekada të tëra, duke u përpjekur që të udhëheqin degët konkurruese të islamit dhe dy shtetet po ashtu janë në anë të kundërta në konfliktet në Siri dhe Jemen.

Por, Teherani dhe Riadi kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj për të ulur tensionet dhe për të rritur bashkëpunimin, një lëvizje që dukej e paimagjinueshme deri vonë.

Qasja e re vjen në kohën e rritjes së frikës për shpërthimin e një lufte në shkallë të plotë në Lindjen e Mesme, ku aleati i Shteteve të Bashkuara, Izraeli, është duke luftuar kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Rripin e Gazës dhe Liban.

Procesi i uljes së tensioneve është intensifikuar që kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane më herët gjatë këtij muaji. Presidenti i zgjedhur është zotuar se do të sjellë paqe në rajon.

“Nuk e shoh këtë si ngrohje të raporteve, por si ulje të kujdesshme të tensioneve”, tha Talal Mohammad, hulumtues në Institutin Mbretëror për Shërbimeve të Bashkuara me seli në Britani.

Irani

Shenjat e para për uljen e tensioneve erdhën në mars të vitit 2023, kur Irani dhe Arabia Saudite pas më shumë se shtatë vjetësh rivendosën raportet, pasi Kina ndërmjetësoi marrëveshjen.

Por, ishte ofensiva e Izraelit në Gazë në tetor të vitit 2023 – pak pasi Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja sulmoi Izraelin – që i dha shtysë reale përpjekjeve për afrim mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

Që kur ka shpërthyer lufta, Irani dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit për herë të parë. Sulmet e ndërsjella e kanë sjellë rajonin buzë një lufte në shkallë të plotë.

Arabia Saudite “është e shqetësuar se këto tensione përshkallëzuese mes Izraelit dhe Iranit mund të dalin nga kontrollin dhe të çojnë në një luftë të gjerë rajonale që mund të prekë interesat e saj”, tha Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar gjerman për Çështje të Sigurisë.

Azizi shtoi se Arabia Saudite, me shumicë myslimane sunite, dhe Irani i dominuar nga shiitët, janë “larg të qenët miq”, pavarësisht përafrimit të tyre së fundi, dhe ata mbesin rivalë që garojnë për ndikim.

Gjatë vitit të kaluar, Arabia Saudite ka ndaluar së kryeri sulme ajrore në Jemenin fqinj ndaj rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani. Riadi po ashtu ka bërë përpjekje për të negociuar përfundimin e konfliktit 10-vjeçar mes rebelëve Huthi dhe Qeverisë jemenase që mbështetet nga sauditët.

Rebelët Huthi po ashtu kanë ndalur sulmet ndërkufitare në Arabi Saudite. Më 2019, rebelët kishin arritur të ndërprisnin gjysmën e prodhimit të naftës të sauditëve.

Faktori Trump

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ka shtuar urgjencën në përafrimin mes Iranit dhe Arabisë Saudite, thanë ekspertët.

Gjenerali kryesor i Arabisë Saudite, Fayyad al-Ruwaili, zhvilloi një vizitë të rrallë në Iran më 10 nëntor dhe u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë iraniane, Mohammad Baqeri. Mediat iraniane e përshkruan këtë takim si “diplomaci të mbrojtjes”.

Një ditë më vonë, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, e akuzoi Izraelin për kryerjen e “gjenocidit kolektiv” ndaj palestinezëve në Gazë dhe në mënyrë eksplicite dënoi sulmin që një muaj më parë Izraeli kreu ndaj caqeve ushtarake iraniane.

Azizi tha se ka frikë në rajon se fitorja e Trumpit do të trimërojë Izraelin që të intensifikojë sulmet e tij ndaj Iranit dhe interesave të Teheranit.

Gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit, nga viti 2017-2021, administrata e tij kishte ndjekur politikën e “presionit maksimal” ndaj Iranit, që përfshiu edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit.

Në të njëjtën kohë, Trump krijoi raporte të ngushta me Riadin. Ai ndihmoi në ndërmjetësimin e normalizimit të raporteve mes disa shteteve arabe dhe Izraelit, nën atë ashtuquajturit Akorde të Abrahamit.

Para se Izraeli të niste luftën e tij shkatërruese në Gazë, Arabia Saudite thuhej se ishte në prag të arritjes së një marrëveshjeje historike për normalizimin e raporteve me Izraelin.

Ekspertët thanë se sulmet e rebelëve Huthi ndaj ndërtesave saudite më 2019 bindën Riadin se Uashingtoni nuk do ta ndihmonte nëse do të sulmohej.

“Duke pasur parasysh tendencën e Trumpit për ndryshime të paparashikuara të politikës, Arabia Saudite mund të kërkojë që të luajë një rol ndikues duke inkurajuar Trumpin që të ndërmarrë një qasje të balancuar që do të siguronte stabilitet rajonal pa shkaktuar një përshkallëzim me Iranin”, tha Mohammad.

“Duke udhëhequr në mënyrë delikate politikën e SHBA-së drejt sanksioneve të kalibruara në vend të presionit agresiv, Arabia Saudite mund të ndihmojë në ruajtjen e sigurisë rajonale duke shmangur rreziqet e një konfrontimi të hapur”, shtoi ai.

Normalizimi izraelit

Bisedimet për normalizim mes Arabisë Saudite dhe Izraelit janë shtyrë pa një afat të caktuar. Zyrtarët sauditë së fundi kanë thënë se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje për normalizim pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

Mohammmad tha se Riadi ka stimuj të rëndësishëm strategjikë për të normalizuar raportet me Izraelin, përfshirë bashkëpunim ekonomik dhe të sigurisë, por edhe qasje në teknologjinë amerikane bërthamore dhe atë të mbrojtjes.

Por, ekspertët thanë se Arabia Saudite do të rinisë bisedimet pasi të përfundojë lufta në Gazë, duke marrë parasysh sentimentin aktual të publikut në botën myslimane karshi Izraelit.

“Normalizimi i raporteve pa arritjen e të drejtave të prekshme për palestinezët do të dobësojë ndikim e Arabisë Saudite në botën islame, një gjë që ata duan ta mbajnë”, argumentoi Azizi.

Sauditët po ashtu duhet të marrin parasysh Iranin, i cili kundërshton fuqishëm normalizimin e raporteve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.

“Riadi mund të konsultohet me Teheranit dhe të japë garanci se normalizimi me Izraelin nuk do të rriste armiqësitë apo të minonte balancën e arritur përmes kontakteve të fundit diplomatike me Iranin”, tha Mohammad.

(Radio Evropa e Lirë)