Fitorja e Trumpit u prit me entuziazëm nga të dy krahët e politikës në Shqipëri

Tiranë, 6 nëntor 2024 – Donald Trump triumfoi në zgjedhjet presidenciale të së martës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një rikthim historik në Shtëpinë e Bardhë, ku ai shërbeu si president gjatë viteve 2017-2021.

Fitorja e z. Trump u prit me entuziazëm në Shqipëri, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita.

Kryeministri Edi Rama postoi në platformën X një foto nga zyra e tij duke parë live fjalimin e fitores së Trump, shoqëruar me një mesazh urimi për “këtë fitore të jashtëzakonshme”.

“Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm,” shkroi Rama.

Ndërsa kreu i opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha, e cilësoi fitoren e tij një “triumf” dhe i kushtoi një mesazh më të gjatë për zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke cilësuan Partinë Demokratike që ai drejton “simotër” të Partisë Repubikane të Trump.

“Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë…,” shkroi Berisha në profilin e tij në Facebook.

Gjatë administratës së Joe Biden, Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndërsa prej muajsh gjendet në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit.

  1. Trump iu dërgua një urim edhe nga burgu 313 në Tiranë, nënshkruar nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili gjendet në arrest pas akuzave për ‘korrupsion”, për “pastrim parash” dhe për “fshehje të pasurisë”.

“Triumfi juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë,” thuhet ndër të tjera në mesazhin e Metës përcjellë nga zyra e shtypit e Partisë së Lirisë që ai drejton.

(r.m.)

Comment

*