Nga Ruben Avxhiu
Një raketë apo mbeturinë rakete ka goditur sot një fshat të Polonisë jo larg kufirit me Ukrainën.
Dy polakë kanë mbetur të vrarë.
Gishtat akuzues janë drejtuar me arsye nga Rusia, e cila ka gjithë ditën që bombardon qytete e objekte civile në mbarë Ukrainën. I dështuar në fushën e betejës, Presidenti Vladimir Putin ka vendosur të hakmerret kundër civilëve.
Megjithatë, Moska ka mohuar se ka goditur territorin polak. Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se nuk është qëlluar në atë zonë. Megjithat, qyteti Lviv, më i madhi në pjesën perëndimore të Ukrainës është në atë drejtim dhe është goditur sot me raketa.
Ngjarja nuk është për t’u injoruar. Ka arsye që Rusia ka vrapuar ta mohojë autorësinë. Polonia është anëtare e NATO-s dhe sipas Nenit 5 të Kartës së Aleancës, të gjitha vendet duhet të radhiten në krah të aleatit që sulmohet.
Shumë nga vendet anëtare kanë reaguar duke shprehur solidaritet me Poloninë dhe kanë dënuar papërgjegjësinë e veprimeve ushtarake ruse.
NATO ka deklaruar se do ta hetojë incidentin në vendngjarje. Disa nga udhëheqësit e vendeve kryesore të NATO-s ndodhen së bashku në Bali të Indonezisë për Samitin G-20. Ndonëse aty ishte ora rreth 3 e natës kur në Europë po diskutohej me furi lajmi i incidentit.
Ekspertët thonë se ky nuk duket rast për aktivizim të Nenit 5. Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për një aksident, rusët kanë bërë një gabim në precizion, ose ukrainasit kanë rrëzuar ndonjë raketë ruse në ajër dhe mbeturinat kanë rënë në territorin polak duke vrarë dy fatkeqët afër fshatit Przevodóv.
Më e mundshme thonë ata është që të aktivizohet Neni 4 sipas të cilit aleatët këshillohen së bashku kur territori i ndonjërit prej tyre kërcënohet. Flitet që një mbrojtje e hapësirës ajrore të Polonisë nga NATO mund të jetë një nga propozimet. Polonia ka mbledhur urgjent Këshillin e saj të Sigurisë.
Një gjë është e sigurtë incidente të tilla, me qëllim ose pa qëllim do të vijojnë të ndodhin sa kohë që vazhdon lufta duke rrezikuar provokimin e një lufte shumë më të madhe dhe me të tmerrshme. Pas disa aneksimeve dhe ndërhyrjesh ushtarake në vendet fqinje, ka ardhur koha që Rusia të ndalet me forcë. Sa kohë që Rusia mendon se mund të fitojë pa paguar çmim të lartë, ajo do të vijojë me vendin fqinj të rradhës.
Ashtu si veproi në Gjeorgji 2008, në Ukrainë 2014, në Siri, e tani përsëri në Ukrainë. Forcat ruse kanë ndërhyrë duke mbrojtur diktatorët në fuqi në Kazakistan, Bjellorusi e vende të tjera. Presidenti Putin ëndërron të ringjallë perandorinë ruse të kohës së carizmit dhe e sheh veten si një car të ditëve tona.
Marrëveshje armëpushimi dhe paqeje të përkohshme vetëm sa do ta shtyjnë thyerjen e domosdoshme në fushën e betejës të Rusisë shoviniste. Serbia provokoi katër luftra në më pak se një dekadë, deri sa ndërhyrja e ndali përgjithmonë.
Për fat të mirë, nuk ka nevojë që NATO të ndërhyjë kundër Rusisë. Ukraina ka dëshmuar se është në gjendje që ta bëjë vetë. Mjafton t’i jepen mjetet ushtarake ashtu si dikur kërkuam për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja mund të bëhej forca e NATO-s në terren, meqë Aleanca nuk bashkohej për idenë e ndërhyrjes nga toka. Me armët dhe instruktorët amerikanë, UÇK mund ta fitonte luftën. Një ide që u përkrah në Washington nga Senatorë si Joe Biden e John McCain. Millosheviqi u dorëzua shpejt dhe lufta mbaroi. Në Ukrainë, ushtria ruse është detyruar të lëshojë mbi 70 mijë kilometra katrorë përballë ofensivës ukrainase. Kjo duhet të vazhdojë derisa trupat ruse të tërhiqen në territorin e tyre. Çdo zgjidhje gjysmake vetëm sa do ta rikthejë rrezikun e përballjes së armatosur, ashtu si Paqja e Dejtonit nuk ia zvogëloi oreksin për luftë regjimit shovinist serb. Diktatorët si Putin dhe Millosheviq kanë nevojë për konflikt të jashtëm që të shtypin popullin brenda. Pas çlirimit të Kosovës, Millosheviqi ra nga pushteti.
Një humbje bindëse në Ukrainë mund të ketë efekt të ngjashëm në Rusi. Kjo ishte një luftë e panevojshme dhe e paarsyeshme dhe vetëm mundja e agresorit do të shmangte incidentet si ky në Poloni. Mënyra më e mirë për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore është thyerja e hundëve të të vetmit agresor mes fuqive të mëdha sot.