Leavenworth (Kansas), 17 shkurt 2022 – Shtetasi amerikan, Jon Fanell, përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se gjysma e lagjes ku jeton ai kanë vendosur para shtëpive së tyre flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe të Kosovës, për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Fanell ka shpjeguar se fqinjët e tyre, të cilët janë me prejardhje nga Kosova, u kanë treguar se shtetasit e Kosovës e festojnë 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, në shenjë solidariteti me amerikanët. Prandaj, gjysma e lagjes kanë vendosur t’ua kthejnë këtë nder, duke e vendosur edhe flamurin e Kosovës në hyrje të shtëpive të tyre.
“Fqinjët tanë janë nga Kosova dhe na kanë treguar se si ata e festojnë 4 Korrikun në shenjë solidariteti me SHBA-në. Gjysma e rrugës sime vendosi që t’ua kthejmë këtë nder dhe i vendosëm flamujt e Kosovës, sot, në Ditën e Pavarësisë së tyre!”, ka shkruar Fanell.
Our neighbors are from Kosovo and told us how they celebrate on the 4th of July in solidarity with the US. Half my street decided we'd return the favor and are flying Kosovo flags for their Independence Day today! pic.twitter.com/2wOuxCgCXr
— Jon Fanelli 🇺🇸🇺🇦 (@FanelliJon) February 17, 2022
Ai nuk ka treguar se cili është qyteti dhe cila është lagjja banorët e së cilës i nderuan fqinjët e tyre të ardhur nga Kosova. Por, nga rrjetet sociale merret vesh se Jon Fanell bashkë me familjen e tij jeton në Leavenworth të Kansasit.
(r.m.)