Prishtinë, 2 qershor 2021 – Flamuri i Kosovës sot është ngritur për herë të parë në hapësirën e kompleksit të misionit paqësor pjesë e të cilit është Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) në Kuvajt.
Lajmi është kumtuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, përmes një njoftimi të postuar në Facebook. Aty shprehet përkushtimi i Kosovës për paqe dhe siguri në mbarë botën.
“Flamuri i Republikës së Kosovës për herë të parë ngritet në misionin paqësor të FSK-së në Kuvajt, si anëtar i koalicionit në Forcën e Përbashkët Operacionale për Detyrë (Inherent Resolve).
Kosova është e përkushtuar për paqe dhe siguri në mbarë botën. FSK-ja falënderon Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gardën Kombëtare të IOWA-s për dislokimin e përbashkët”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Krahas njoftimit janë publikuar edhe fotografi nga ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës.
Në sfond, krahas flamurit të Kosovës, shihet edhe flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
(r.m.)