Tiranë, 28 nëntor 2021 – Shqipëria e feston sot 109-vjetorin e Pavarësisë.
Flamuri Kombëtar Shqiptar sot u ngrit në Sheshin e Flamurit, në Vlorë, aty ku sot 109 vjet ishte shpallur shteti i pavarur i Shqipërisë dhe ishte ngritur flamuri kombëtar kombëtar shqiptar.
Në ceremoninë solemne, e cila tashmë është tradicionale, morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Ata kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kuro lulesh në Monumentin e Pavarësisë, në shenjë nderimipër të gjithë patriotët që kanë punuar e luftuar për pavarësinë e Shqipërisë.
“Në Vlorën e lavdishme të Pavarësisë u përula sot me nderimin dhe respektin më të thellë para themeluesit të shtetit tonë modern dhe Atit të Shqipërisë, Ismail Qemalit, kujtimit dhe veprës së ndritur të Tij dhe të shumë patriotëve të tjerë, që realizuan 28 Nëntorin e vitit 1912!
Të mbrojmë dhe të lartësojmë simbolet tona kombëtare dhe të mos humbasim më kohë për përmbushjen e ëndrrës për një Shqipëri plotësisht europiane sepse 109 vite janë mëse të mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern.
Urime 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, ka shkruar Presidenti Meta në Facebook, pas nderimit të themeluesve të shtetit shqiptar.
Gjatë ditës së sotme në Vlorë do të zhvillohen aktivitetet të ndryshme festive me rastin e 28 nëntorit, Festës së Flamurit.
(r.m.)