Anekënd botës shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 110 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në Philadelphia u organizua një veprimtari madhështore, ngritja me ceremoni e flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Philadelphia-s organizon ngritjen e flamurit tonë në bashkinë e qytetit me një ceremoni solemne. Pra, edhe ne e shënojmë një vit jubilar, dhjetëvjetorin e organizimit të kësaj ceremonie mjaft domethënëse. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphia-s. Ngritja e flamurit Kuq e Zi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias.
Edhe këtë vit, në datën 28 nëntor, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë. Numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni, gati i tërë sheshi ishte mbushur me bashkatdhetarë të gëzuar, të veshur me rrobat më të bukura, disa edhe me veshje kombëtare. I tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. I tërë sheshi ishte zbukuruar me flamuj të shumtë shqiptarë e amerikanë. Kësaj ceremonie ia shtuan madhështinë edhe pjesëmarrja e mysafirëve tanë të nderuar: zëvendës ambasadori i Republikës së Kosovës në Uoshington, z. Bujar Maxhuni dhe këshilltari i kësaj ambasade, z. Drilon Zogaj; kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, z. Avdullah Domi, i cili edhe e ngriti flamurin në mënyrë ceremoniale. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Bujar Gjoka. Z. Gjoka foli për rëndësinë historike të kësaj Dite të Madhe, ndihmën e Amerikës dhënë Shqipërisë e Kosovës si dhe rolin e bashkësisë shqiptaro – amerikane në zhvillimin e qytetit të Philadelphias. Ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphias përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City representative) të Philadelphias, e cila edhe i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Bujar Gjoka, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare dhe e shpallte 28 Nëntorin si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe z. Avdullah Domi. Nga Zyra për Çështjet e Imigrantëve, përshëndeti z. Alain Joinville. Shoqata “Bijtë e Shqipes” e nderoi me një mirënjohje zonjushën, Katie Katro, gazetare në kanalin 6, stacion lokal i rrjetit televiziv, abc. Zonjushet, Sara Matraku dhe Silvana Çela e moderuan për bukuri këtë ceremoni madhështore.
Për këtë veprimtari dhe veprimtaritë tjera të organizuara nga shoqata “Bijtë e Shqipes” për nder të 28 Nëntorit, në ditët në vazhdim do të përgatitet një material pak më i detajuar.
Philadelphia, më 28 nëntor, 2022
Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Fotot: Eva Dori – gazetare